Turqia heq tarifat ndaj disa produkteve të ShBA-së

    Turqia ka hequr tarifat shtesë ndaj disa importeve të Shteteve të Bashkuara, përfshirë ndaj pijeve alkoolike, veturave, duhanit dhe produkteve kozmetike, bëri të ditur Ministria e Tregtisë më 22 shtator.

    Turqia kishte vendosur tarifa shtesë doganore për një sërë produktesh me origjinë nga ShBA-ja sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, në përgjigje të tarifave amerikane të vendosura më 2018 ndaj importeve të çelikut dhe aluminit.

    “Në këtë fazë, si rezultat i përparimit pozitiv të negociatave me ShBA-në dhe në konsultimet e mbajtura brenda kornizës së mekanizmit për zgjidhjen e mospajtimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë, përfshirë raportimeve të panelit, obligimet shtesë financiare që ishin vendosur ndaj disa produkteve me origjinë amerikane janë hequr”, tha ministria turke.

    Ministria e Tregtisë shtoi se raportet ekonomike vazhdojnë të mbesin shtylla kryesore e dialogut strategjik mes Ankarasë dhe Uashingtonit, teksa të dyja palët po synojnë të arrijnë objektivin prej 100 miliardë dollarësh në tregtinë dypalëshe.

    Vendimi i Ankarasë vjen para takimit të rëndësishëm që do të mbahet këtë javë mes presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

    Trump njoftoi se Erdogan do të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë të enjten, pasi dy udhëheqësit të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Franca njeh zyrtarisht shtetin palestinez

    Lajmi i rradhës

    Sulmet kibernetike në aeroporte

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë