Investimet në Dibër, kryesisht në ndërtimtari dhe në gastronomi

    Vitet e fundit në Dibër ka pasur investime, por ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë kryesisht në sferën e ndërtimtarisë. Investitorët lokalë, por edhe ata nga diaspora, mendojnë se në këtë sektor përfitimet janë më të mëdha. Sektori i dytë ku ka investime është ai i hapjes së objekteve shërbyese, si restorantet dhe kafiteritë.

    Edhe pse para disa viteve në Dibër u shpall lokacioni i ish-kazermës së ushtrisë së ARM-së si zonë ekonomike, ku ishte paraparë ndërtimi i objekteve prodhuese me kusht që ato të mos ndotin mjedisin jetësor, deri sot në këtë lokalitet nuk është ndërtuar asnjë objekt prodhues, siç ishte paralajmëruar. Në Sektorin e Urbanizmit pranë Komunës së Dibrës na informuan se investimet kryesore vitet e fundit janë përqendruar në ndërtimtari.

    “Ka një interesim të madh për ndërtimin e ndërtesave kolektive, ndërsa më i vogël është interesimi për ndërtimin e shtëpive individuale”, thotë Gazmend Cami nga ky sektor.

    Investitorët dibranë theksojnë se edhe përfitimet në këtë fushë janë më të mëdha dhe më të sigurta. Në fillim të viteve ’90 në Dibër kishte vetëm 15 ndërtesa kolektive, ndërsa më vonë, me investime të biznesmenëve, u ndërtuan mbi 50 të tjera. Përveç në vendbanimin e ri të Dibrës, ndërtesa kolektive u ngritën edhe në disa pjesë të vjetra të qytetit, gjë që shpesh u kritikua nga qytetarët. Aktualisht, në Dibër për herë të parë janë drejt përfundimit ndërtesa kolektive me mbi 10 kate.

    Blerësit kryesorë të banesave janë mërgimtarët dibranë që jetojnë në Amerikë dhe në disa shtete të Bashkimit Evropian. Mbi 70 për qind e banesave mbeten bosh gjatë vitit, pasi pronarët nga diaspora i përdorin ato vetëm gjatë sezonit veror. Ndërtimi i ndërtesave kolektive ka sjellë edhe rritjen e çmimeve të banesave. Sot një metër katror në pjesën qendrore kushton mbi 900 euro, ndërsa objektet afariste në të njëjtën zonë shiten afro për 2000 euro për metër katror.

    Besim F., një dibran i moshuar, thotë se Dibra dy dekadat e fundit po ndërtohet vertikalisht.

    “Kjo ndoshta është mirë për pjesën e re të Dibrës, por jo edhe për pjesën e vjetër. Ajo duhej të ruante ndërtimet karakteristike të qytetit”, thekson ai.

    Investime të tjera, por më të vogla, ka në sektorin e shërbimeve, kryesisht në restorante dhe kafiteri. Janë ndërtuar shumë objekte të tilla, pasi edhe aty përfitimet janë të larta. Megjithatë, pushteti vendor i Dibrës, disa herë gjatë seancave të Këshillit në katër vitet e fundit, ka kërkuar nga investitorët të orientohen drejt hapjes së reparteve prodhuese. Por këto thirrje nuk janë dëgjuar nga biznesmenët.

    “Investitorët shohin vetëm interesin e tyre”, thonë qytetarët dibranë, duke shtuar se mosinvestimi në sektorin prodhues nxit migrimin e të rinjve.

    Të rinjtë dibranë, të cilët vazhdojnë të mbeten të papunë, e shohin zgjidhjen vetëm jashtë vendit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    DISBALANCË NË ZHVILLIMIN INDUSTRIAL / Rritje në mallrat e ndërmjetme, rënie në energjetikë

    Lajmi i rradhës

    Amnesty International u bën thirrje FIFA-s dhe UEFA-s ta pezullojnë Izraelin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë