Kosova voton për zgjedhjen e kryetarëve të komunave

    Sot, e diel, më 12 tetor 2025, qytetarët e Kosovës i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe asamblistët.

    Procesi zgjedhor nisë në orën 07:00 dhe përfundon në ora 19:00.


    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të rregullt, transparent dhe të qetë.

    Edhe Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor ka njoftuar se ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen me 12 tetor 2025, në Republikën e Kosovës.

    KQZ publikon linkun, u bëhet thirrje votuesve të verifikojnë qendrën e votimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë qytetarët me të drejtë vote se përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org mund të kontrollojnë me lehtësi se ku është Qendra e Votimit ku është caktuar të votojë.

    Në njoftim bëhet e ditur se për t’u qasur në platformën e KQZ-së, votuesi duhet të shënojë numrin personal të Republikës së Kosovës dhe datën e lindjes.

    “Pas kësaj menjëherë do të hapet një faqe e re që do të shfaq të dhënat e votuesit, përfshirë adresën e saktë të Qendrës së Votimit ku është caktuar të votojë, e cila mund të shikohet përmes GoogleMap.

    Çdo votues mund të votojë vetëm në komunën ku është i caktuar, pasi në Zgjedhjet Lokale çdo komunë është një zonë e veçantë zgjedhore dhe në vendvotimet e secilës komunë, KQZ dërgon fletëvotime vetëm për atë komunë”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu bëhet e ditur se edhe votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi dhe mundësohet në qendrën e veçantë për votim me kusht e cila është caktuar nga KQZ.

    “Në çdo komunë, KQZ ka caktuar nga një Qendër Votimit për mundësimin e votimit me kusht”, thuhet në njoftim.

    Rreth 100 prokurorë të shtetit për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve

    Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, të cilat mbahen sot më 12 tetor 2025 janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale.

    “Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës me urdhrin operativ “Zgjedhjet lokale 2025”

    Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen me 12 tetor 2025, në Republikën e Kosovës.

    Në njoftimin për media thuhet se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

    “Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, duke filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit”, thuhet në njoftim.

    948 Qendra votimi në gjithë Kosovën, qendrat e votimit hapen në ora 07:00

    Sot qytetarët e 38 komunave do të kenë mundësi të votojnë për kryetarë dhe përfaqësues të tyre në Kuvende komunale.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë 948 qendra votimi në gjithë Kosovën që do të hapen në orën 07:00 të mëngjesit e do të mbyllen në orën 19:00.

    KQZ ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të rregullt, transparent dhe të qetë.

    Po ashtu për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025 do të hapen gjithsej 38 Qendra Votimi për votim me kusht, të shpërndara në të gjitha komunat e Kosovës.

    Sipas njoftimit të KQZ-së, në këto qendra do të funksionojnë gjithsej 54 vendvotime, të dedikuara për votuesit që për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të votojnë në vendvotimin e tyre të rregullt.

    Votimi me kusht në zgjedhjet lokale është i lejuar vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi, dhe realizohet në qendrën e veçantë për votim me kusht të caktuar nga KQZ.

    E drejta për të votuar me kusht u mundësohet vetëm votuesve që janë të regjistruar në listën votuese, por që për arsye objektive nuk mund të votojnë në vendvotimin që u takon sipas adresës. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Joshevska: të akuzuarit dhe familjet e tyre po bëhen viktima të sistemit

    Lajmi i rradhës

    Berberët rrisin çmimet!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë