Dhunë në protestat në Beograd, teksa nëna e një viktime të Novi Sadit nis grevë urie

    Dhunë dhe tensione janë raportuar përgjatë një proteste të mbajtur në Beograd në mbrëmjen e 2 nëntorit në mbështetje të Dijana Hërkas, nënës së njërës prej 16 viktimave të vrara si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit një vit më parë.

    Ajo ka nisur grevë urie, duke kërkuar përgjegjësi nga ata që, siç thotë ajo, i kanë vrarë fëmijën.

    Në protestë janë hedhur mjete piroteknike në drejtim të protestuesve nga ana e mbështetësve qeveritarë që kanë qenë të mbledhur në një zonë tjetër.

    Më vonë kanë shpërthyer përleshje mes dy grupeve, mirëpo policia ka ndërhyrë shpejt dhe i ka ndalur ato.

    Përgjatë protestës, Dijana Hërka i është drejtuar policisë me megafon, duke thënë se ky institucion do të fajësohet për incidentet.

    Pas një kohe siguria është përforcuar me forcat e xhandarmërisë.

    Forcat policore në Beograd më 2 nëntor.
    Forcat policore në Beograd më 2 nëntor.

    Studentët që protestojnë tashmë një vit, i kanë bërë thirrje secilit që të mos përfshihet në përleshje.

    “Dijana Hërka nuk duhet të lihet vetëm”, kanë thënë studentët përmes një postimi në X – dikur Twitter – duke shtuar se gjëja më e rëndësishme është siguria e saj, por që nëse Hërka vendos të vazhdojë grevën dhe të protestojë, atëherë i duhet të ketë mbështetje adekuate.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka akuzuar qytetarët që e kanë mbështetur Dijana Hërkan për “tentime brutale që të sulmojnë simbolin e lirisë – Parkun e Pionierëve”, ka raportuar agjencia e lajmeve Beta.

    Vuçiq ka thënë se ata që i organizojnë grevat janë në kontakt me shumë zyrtarë të Ambasadës amerikane.

    “Kjo është diçka e pritshme dhe nuk na befason, sepse i kemi monitoruar këto kontakte të atyre që kanë dashur të shkaktojnë kaos me struktura të huaja”, ka thënë ai.

    Ministria e Brendshme Serbisë dhe Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA) e kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke i dënuar incidentet në Beograd.

    Dijana Hërka e ka nisur grevën në ngjarjen përkujtimore në Novi Sad më 1 nëntor, ku dhjetëra mijëra njerëz i kanë përkujtuar ata që janë vrarë një vit më parë.

    Edhe një vit pas tragjedisë, askush nuk është shpallur fajtor.

    Tragjedia në Novi Sad i ka nxitur protestat më të mëdha në dekada kundër pushtetit në Serbi.

    Protestuesit kërkojnë zgjedhje të parakohshme, diçka që regjimi i Vuçiqit i hedh poshtë vazhdimisht. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Dalje dështuese në zgjedhje, për herë të parë votuan më pak se 50%

    Lajmi i rradhës

    A do të funksionojë plani 12-pikësh i BE-së për Ukrainën?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë