QYTETI I SIGURT | Kamera kudo, shoferët nuk do ta dinë se ku kontrollohet shpejtësia

    Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) planifikon të vendosë kamera për matjen e shpejtësisë në automjetet policore, të cilat do të mund t’i zbulojnë kundërvajtjet në trafik edhe gjatë lëvizjes. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paralajmëroi se, përveç kamerave fikse, policia do të përdorë edhe pajisje mobile, të cilat do të vendosen në lokacione të ndryshme, veçanërisht në pikat kritike të trafikut.

    Arsyeja për këtë vendim është se shoferët tashmë po i mësojnë lokacionet e kamerave ekzistuese, e ulin shpejtësinë para tyre dhe më pas përsëri e rrisin atë.

    “Shoferët dalëngadalë po mësojnë se ku janë të vendosura kamerat, si i zbulojnë kundërvajtjet e kështu me radhë, dhe kjo është mirë. Por është keq kur e kalojmë atë pikë kritike, për të cilën e dimë se është objekt i zbulimit nga kamera-radar, dhe përsëri e rrisim shpejtësinë, duke drejtuar sërish në mënyrë të papërshtatshme dhe duke rrezikuar veten dhe ata që janë me ne në automjet, e më së shpeshti këta janë njerëzit tanë më të afërt”, deklaroi Toshkovski.

    Sipas ministrit, analizat kanë treguar se vetëm me kamera fikse nuk mund të arrihet efekti i dëshiruar parandalues, pasi shoferët e dinë se ku kontrollohet shpejtësia.

    “Propozimi që kemi marrë nga ekspertët është që në kuadër të automjeteve ekzistuese që i kemi, të instalojmë kamera të cilat do të mund ta detektojnë shpejtësinë dhe ato mund të vendosen kudo. Ato mund të konstatojnë kundërvajtjet edhe gjatë lëvizjes, veçanërisht drejtimin me shpejtësi të palejuar nga pjesëmarrësit në trafik dhe në të ardhmen do të përqendrohemi veçanërisht në këtë pjesë”, tha Toshkovski.

    MPB-ja planifikon edhe furnizimin me kamera shtesë mobile, të cilat do të vendosen në të ashtuquajturat pika të zeza, përkatësisht në segmentet rrugore ku më së shpeshti ndodhin aksidente të rënda trafiku me viktima dhe të lënduar.

    Qëllimi, sipas ministrit, është që shoferët të jenë të vetëdijshëm se shkelja e rregullave të trafikut mund të regjistrohet në cilindo lokacion dhe jo vetëm aty ku janë vendosur kamerat fikse.

    Lajmi Paraprak

    Subhi Jakupi në krye të Gjykatës Administrative

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë