Në RMV, çdo javë një grua humb jetën nga kanceri i qafës së mitrës

    Në Maqedoninë e Veriut, çdo javë një grua humb jetën nga kanceri i qafës së mitrës dhe çdo ditë e gjysmë diagnostikohen raste të reja. Edhe pse bëhet fjalë për një sëmundje pothuajse tërësisht të parandalueshme, shkalla e paraqitjes së saj mbetet shqetësuese, sidomos tek gratë e moshës riprodhuese. Sot, kur shënohet Dita Botërore e Eliminimit të Kancerit të Qafës së Mitrës, institucionet paralajmërojnë se rruga drejt parandalimit të plotë është e mundur, por vetëm nëse rritet qasja në vaksinim, kontrollin e rregullt dhe trajtimin në kohë.

    Të dhënat më të fundit tregojnë se nga viti 2017 deri në 2023, në vend janë diagnostikuar 2630 gra me kancer të qafës së mitrës, ndërsa 39 për qind e tyre kanë qenë nën moshën 50 vjeç. Sipas sistemit digjital shëndetësor “Termini Im”, çdo javë një grua humb jetën nga kjo sëmundje dhe tre të tjera diagnostikohen. Sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), vetëm në vitin 2022 janë regjistruar 173 raste të reja dhe 66 vdekje. Në dekadën e fundit, mesatarisht 170 gra në vit preken nga ky kancer, duke e renditur atë si sëmundjen e gjashtë malinje më të shpeshtë tek gratë në vend.

    Në Shkup u zhvillua Forumi i pestë Vjetor i Aleancës Rajonale për Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, i organizuar nga UNFPA në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Më shumë se 100 përfaqësues nga rajoni diskutuan masat për parandalimin e kësaj sëmundjeje, në përputhje me objektivat e OBSH-së për vaksinimin e 90 për qind të vajzave deri në moshën 15 vjeç, kontrollimin e rregullt të 70 për qind të grave dhe trajtimin në kohë të 90 për qind të pacienteve. Irena Aleksioska-Papestiev, kryetare e Komisionit Kombëtar për Zbulimin e Hershëm dhe Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës dhe drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjisë, tha se rezultatet e studimit të fundit tregojnë një domosdoshmëri të fortë për modernizimin e metodave të skriningut.

    “Forcimi dhe përmirësimi i kontrollit të bazuar në HPV është i justifikuar dhe rezultatet e para nga studimi pilot e dëshmojnë këtë. Por për ta bërë realitet duhet mbështetje e qartë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria. Ende e kemi situatën që një pjesë e madhe e rasteve zbulohen në fazë të avancuar, kur mundësitë e trajtimit janë të kufizuara. Por sfida kryesore mbetet skriningu, pasi vetëm 30 për qind e grave që duhet të kryejnë testin PAP përfshihen realisht në program. Vitin e kaluar janë realizuar rreth 64 mijë teste, shumë më pak se sa do të nevojitej për një mbulim adekuat të popullatës”, theksoi Aleksioska-Papestiev.

    Në maj të vitit 2024, vendi ka futur vaksinën nëntëvalente, një nga më të avancuarat në qarkullim. Ajo është e përfshirë në programin kombëtar të imunizimit dhe gjendet falas për vajzat dhe djemtë nga mosha 12-19 vjeç.

    “Nuk ka parandalim më të fortë se vaksinimi. Politika jonë ka zgjeruar grupmoshën deri në 19 vjeç dhe mbulimi tashmë është afër 60 për qind, që për rajonin është shifër e mirë. Kemi rritur qasjen dhe ndërgjegjësimin, por qëllimi është të arrijmë 90 për qind, siç kërkon strategjia e OBSH-së. Zhdukja e kancerit të qafës së mitrës është e mundur, por vetëm nëse përmirësojmë qasjen në vaksinim, zgjerojmë skriningun dhe sigurojmë trajtim të përballueshëm dhe në kohë”, tha mjekja Aleksioska-Papestiev. Ndryshe, sipas ISHP-së, parandalimi më efektiv mbetet vaksinimi i hershëm, si dhe kryerja e testeve PAP dhe HPV sipas rekomandimeve kombëtare. Siç njoftojnë nga atje, në fazat e para, kanceri zakonisht nuk jep simptoma, por në faza të avancuara shfaqet me gjakderdhje të pazakontë, dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale, sekrecione me erë të rëndë, dhimbje në shpinë dhe humbje peshe. Zbulimi i hershëm mbetet faktori kryesor që përcakton shanset për shërim. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Rritja e pagës minimale shkakton “luftë” sindikatash!

    Lajmi i rradhës

    11 milionë euro për riparimin e ndërtesave publike në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë