Edison Ypi
Kur linda, sapo dola, hodha sytë rrotull, u binda se atdheu im nuk është vend interesant, nuk është për mua, këtu u ndodha gabimisht. U ktheva me hy nga dola. Nuk munda. Porta ishte mbyllur me dryna dhe lloza. Pas pak kohe, gjatë një ninulle shoqëruar me lëkundje, kur nga dritarja dukej qielli i zi, Hëna si çengel, yjet si shkëndija, djepi ma shtypi gishtin e mesit të dorës së majtë. Ashtu e kam edhe sot gishtin e rëndësishëm. Të përdhunuar. Të shëmtuar. Që thori i ri të dali i rregullt, ma ka shkulur disa herë kirurgu. E pamundur. Djep, bebe, dorë e majtë, gisht mesi, thua i shtrembër, nuk mund të ishte shtypje e çfarëdoshme. Ishte shenjë e zbritur, isharet nga Perëndia. Tek e cila nuk dyshoj. Vetëm dëgjoj, kuptoj, bindem. Në këtë rast se Urdhri ishte të mos shkoja para. As pas. Kurrsesi lart. Vetëm poshtë. Sa më ngatërrueshëm. Sa më humbshëm. E zbatova me përpikmëri urdhrin që më erdhi përmes djepit dhe gishtit. U fundosa. U groposa. Fjeta. Pashë ëndrra. Në prehrin e errësirës u ndjeva rehat. Në gjirin e tokës fjeta butë.
Kalova vite nëpër me gjumë letargjik nëpër zgavra.
Një ditë, që për mua letargun ishte natë, më zgjuan për të më bërë synet. Xherahu e tendosi rrethin e mishit duke e tërhequr me dorën e majtë. Me dorën e djathtë mbajti briskun e berberit. Prita të ma priste tubin e shkurtër të mishit si pritet me brisk ose me thikë zorra e tepërt prej celofani e sallamit. Xherahu nuk e shkurtoi lafshën time si tub celofani sallami. Përdori metodë tjetër. Dorën që mbante briskun e ngriti lart nja një pëllëmbë. Nga kjo lartësi e lëshoi briskun në rënie të lirë. Brisku e preu rrethin e mishit në fluturim e sipër si pret gijotina kokat e revolucionarëve të pabindur, shpejt, pa dhimbje, vu gjaku. Sipas urdhrit që më thanë se është i Muhametit, për të larguar Syrin e Keq, rrethin e tepërt të mishit të rrushit e hodha mbi çati me dorën time. Pas incidentit me rrush, brisk, gjak, Muhamet, Sy i Keq, si një kështjellë që përgatitet për rrethim të gjatë, mora masa sigurie për të ardhmen letargjike. Thellova zgavrat. I ktheva në tunele. Gjatë një daljeje rastësore nga letargjia, më gjeti përsëri belaja. Isha në fillore. Një vërsnik me mua erdhi në shkollë pa shallin e kuq në qafë. Drejtoria, këshilli pedagogjik, partia, komiteti, mbledhja, e dënuan bashkëmoshatarin me pështyrje.
I vunë në rresht kalamajtë për ta pështyrë shokun e hutuar para murit të turpit të pështymës si para murit të pushkatimit të atyre që tradhtojnë Atdheun. Unë nuk e pështyva shokun tim. Betohem për kokën e qafës së zgavrës së mitrës së le targjisë, nuk e pështyva. Jo të gjithë e pështynë. S’qe nevoja. Shoku pa shall të kuq u mbulua nga shiu i pështymave të moshatarëve më të zellshëm në pak minuta. Pas episodit llaftaritës me pështyma shokësh, ika drejt e te llagëmet e mia. Ku, me kazma, lopata, kamiona, vinça, buldozera, ju futa menjëherë punës për përsosjen e infrastrukturës së letargjisë me anë të lidhjes së zgavrave dhe llagëmeve me njëri-tjetrin në formë labirintike për të paksuar monotoninë e shëtitjes brenda tyre dhe evituar panik ataket.
Në shkollë të mesme erdhi një herë Kryeministri i kohës mbajti një fjalim ku tha hiç më pak se: Na duhen teknikë të kuq.
Ika vrap për të përmirësuar më tej infrastrukturën e botës së heshtjes dhe errësirës. Plotësova me asfalt, parmakë, kanale kullimi, skarpata, sinjalestikë, pika karburanti, karakolla vrojtimi, telekamera, radara, rrugët e ëndrrave të mia nëpër male, lugina, pyje, laguna.
Kur vajta, ose më morën, në fakt më hoqën zvarrë, për ushtar, si ushtar i ri por letargjik i vjetër, falë disa trukeve me shpikje dhe racionalizime, i bëra të hiqnin dorë së kërkuari prej meje letargut ca gjëra të pakëndshme: të bëja roje, të kishja pushkë, helmetë, kundragaz, të mbaja gjithë kohës kapele, të përshëndesja me grusht, ta mbaja dhe ruaja me respektin që meritonte uniformën: të mos i mungonte qaforja, të mos i ishte shkulur asnjë kopsë. Dhe u arratisa nëpër letargjira fantastike sa herë më deshi qejfi. I lirë si era. Pa kapele me yll të kuq. Pa gambale. Pa helmetë. Pa pushkë. Pa kundragaz. Le të ulurinin oficerat, tyçat, tubat, tullat, brrylat, tjegullat, se do shkatërronin NATO-n ushtrinë e uritur që hante një garuzhde groshë për mëngjes. Letargjia ishte zgjidhja.
Kur ushtarët i burgosnin pse largoheshin pa leje, vidhnin ndonjë copë bukë, grabisnin ndonjë garuzhde groshë, apo vrisnin veten siç e vranë, ja qaja hallin gjumit të nëntokës dhe ai më mirëkuptonte. Mi ulte qepallat sa herë të doja dhe më arratiste nëpër ëndrra. Për këto dhe të tjera, tashmë e kisha ilaçin, melhemin. Letargjia ime doli më e fortë se arma e tyre, Marksizëm-Leninizmi ngadhnjimtar.
Kaluan vite.
Shkolla repart ushtarak, ndërmarrja Zoo, shoqëria çmendinë. I pakëndshëm, i panevojshëm, i përgjumur, i tepërt, u largova, u fsheha, u fshiva, u harrova, edhe më larg, edhe më thellë. Ata fejoheshin, martoheshin, pillnin kalamaj, këmbenin vizita, shkonin nëpër qoka. Unë letargu dremitja e flijaç nën tokë, si iriqi, gjarpri, nëpërka, ariu. Gjithçka që ndodhte lart, mua letargun atje poshtë më hidhte nëpër libra, filma, fantazira, biseda të rrezikshme, fluturime në qiellin tim, qiellin tjetër, qiellin e përmbysur, qiellin e zi të gjumit tim.
Më doli gjumi në nëntor ’90. U ngrita, nxora kokën për të parë ç’bëhej. Llumi i komunistave, halabakëve, rrugaçëve, spiunave, hajdutave, po merrnin frerët. Ika u fundosa edhe më thellë në letargjinë time të gjatë në pritje të një moti më të butë. Në një nga ditët e zgjimit të herahershëm takova një mik të vjetër.
-Edisono, po dajn venet kto.
-Të bëjnë çfarë t’u dojë e zeza zemër dhe e kuqa bythë. S’më lidh asgjë me ‘ta.
-Gjej një qoshe. Gjej një vend pune.
-I kam gjetur prej kohësh. Nga këshilla jote më vjen për të vjellë.
Nuk pretendova, nuk kërkova, nuk prita, asgjë, absolutisht asgjë nga banditët, injorantët, budallenjtë, zagarët që pushtetin e morën për ta vjedhur.
Mendova vetëm për t’u zhdukur, për të ikur, harruar, letarguar. Sa më larg. Sa më humbshëm. Sa më gjumshëm. /Panorama/






