Dyshohet se ish-kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar autoritetin dhe duke nënshkruar një miratim për ndërtimin e shtëpisë familjare të personit të parë të raportuar, N.K. (53). Më 15 tetor, si investitor, N.K. ka shembur me makineri ndërtimi një shtëpi të vjetër në Strugë dhe gjatë gërmimit ka dëmtuar themelet e murit të shtëpisë përkujtimore të Vllado Maleskit, autorit të himnit maqedonas, përcjell Nistori.
Policia e Strugës ngriti kallëzim penal kundër pesë personave, përfshirë ish-kryetarin Merko, në lidhje me prishjen e shtëpisë përkujtimore të mbrojtur të Vllado Maleskit. Personi i parë i raportuar, N.K., përballet me dyshime për dëmtim ose shkatërrim të mallrave të mbrojtura si trashëgimi kulturore ose raritete natyrore.
Sipas kallëzimit penal të Ministrisë së Brendshme, më 15 tetor, N.K. përdori makineri ndërtimi në një parcelë kadastrale në Strugë për të shembur një shtëpi të vjetër, në kundërshtim me vendimin për lëshimin e kushteve mbrojtëse. Gërmimi i tij dëmtoi themelet e murit jugor të shtëpisë përkujtimore fqinje të Vllado Maleskit, e cila është e mbrojtur si trashëgimi e rëndësishme kulturore që nga viti 2017.
E pandehura e dytë, V.N. (62) nga Ohri, arkitekte-konservatore në Institutin Kombëtar për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeun e Ohrit, vendosi vulën zyrtare dhe nënshkroi projektin bazë për shtëpinë familjare. Ajo gjithashtu miratoi mendimin mbi përputhshmërinë me projektin konceptual, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, planin e menaxhimit për Trashëgiminë Botërore Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit, si dhe vendimin për lëshimin e kushteve mbrojtëse nga Ministria e Kulturës. Akuzat kundër saj lidhen me “punë të pakujdesshme në shërbim”.
I pandehuri i tretë, ish-kryetari Ramiz Merko, akuzohet për abuzim me detyrën zyrtare, duke tejkaluar autoritetin dhe nënshkruar lejen e ndërtimit në kundërshtim me aktet e Institutit Kombëtar për Mbrojtjen e Monumenteve dhe vendimin e Administratës së Trashëgimisë Kulturore.
I pandehuri i katërt, N.N. (56), si drejtues i Departamentit të Planifikimit Urban në Komunën e Strugës, përgatiti lejen e ndërtimit duke tejkaluar kompetencat e tij, ndërsa i pandehuri i pestë, G.D. (59), e miratoi atë si ndihmës drejtues i Sektorit për Planifikim Urban, Veprimtari Komunale, Trafik dhe Mbrojtje të Mjedisit.
Pas prishjes së pjesës së shtëpisë përkujtimore të Maleskit në mes të tetorit, Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, njoftoi se do të fillojë menjëherë një projekt për rindërtimin dhe restaurimin e ndërtesës së mbrojtur.






