Kështu foli shoferi

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    SHËNIME NGA TETOVA

    Kujtim Shabani 

    Në aeroportin e Shkupit bie shi. Në Malësinë e Tetovës ka reshur borë. Në fundshtator. Imazhet e miqve nga Malësia në Facebook janë bardh. Atje nga vi me origjinë. Atje ku dimri është dimër! Ç’më ndjek kjo borë sa herë vij në Tetovë! Në pranverë, në vjeshtë, në dimër. Më shtrohet si një tepih i bardhë në një ēndërr të bukur.

    Po çfarë do mërgimtari kur niset për në vendlindje? Të mbërrijë sa më parë në shtëpi! Ky ngut i ka marrë ata shpesh në qafë. Jo rrallë ata kanë lënë shpirtin e tyre të përmalluar në gërmadha aksidentesh autostradave të vendeve nga kalojnë me veturë. Nganjëherë vetëm shkurt para se të mbërrijnë në shtëpi.

    Kur del nga aeroporti i Shkupit, ai zë vend në veturë, shkëmben dy fjalë me shoferin që e pret dhe fillon ta vizatojë në mendje pushimin në Tetovë. Ai futet me imagjinatë në shtëpinë e vjetër me këmbë të mbarë. Në hyrje i ndien bisedat e fundit nga vizita e kaluar duke u nisur rrëmujshëm me valixhe në krah për mërgim. E para i hap me vrull perdet e trasha të dhomës së ndejës. Sakaq pushon jehona e zërave ngavizita e kaluar që e banojnë shtëpinë e zbrazur dhe odën e përbytin përrenj drite. Aty i hapet si në teatër një botë kujtimesh… Po imagjinatës së tij i pret hovin frenimi i shoferit në stacionin e parë të taksës së autostradës. Një mori veturash lajnë një detyrim prej 40-50 denarësh për shfyrtëzimin e saj. Kjo merr ndonjë minutë kohë, varësisht nga stina e vitit që je dhe ora e ditës kur kalon.

    Pasi vetura e rrit sërish shpejtësinë në këtë segmet të frekuentuar mirë, mërgimtari përpiqet të lidhë fillin e përfytyrimeve të tij të ardhjes në shtëpinë e vjetër. Pa u prehur akoma në divanët e odës, ai do të dëgjojë në korridor një mori zërash të vërtetë, të njohur nga hera e fundit, e parafundit, e paraparafundit… që nga lindja… Janë njerëzit e një zjarri, të cilët e kanë rritur dhe me të cilët është rritur. Janë tri gjenerata farefisi që i gëzohen ardhjes së tij për ca ditë në shtëpinë e parë. Pastaj fillon një polifoni bisedash të përzemërta. Papritur, nuhat një aromë kafeje të derdhur në sipërfaqen e vatrës, ku është harruar nga thellimi në biseda… Dhe e ndjen sërish frenimin e veturës në stacionin e radhës së taksës së autostradës. Skena që të futen ndër sy siç rrasen hapësirat e publicitetit duke ndjekur një film intrigues në televizor. Prapë shpërqëndrim, prapë vonim, prapë nga e para.

    Mërgimtari ka një agjendë të ngjeshur në Tetovë. Ai do të takojë gjithë ato njerëz. Për urime e për ngushëllime. Për qejf e për hall. Për detyrë e për mall. Ai bredh me mendje që në taksi nëpër oda dhe në rrugë, në shtëpinë e vet dhe në shtëpitë e miqve, nëpër sportele dhe librari, nëpër sheshe dhe nëpër kafene. Nganjëherë i flet ndonjë fjalë shoferit për edukatë dhe vazhdon i kalëron imagjinatës. I bie Tetovës kryq e tërthor, kënaqet dhe sfilitet. Tetova e vogël i bëhet metropol. Në një moment, tek pret një mik në një kafe afër shkollës së kohës së Tetovës, ndez një cigare dhe përhumbet në kujtime. Shiriti i kohës është i gjatë. Zhurma, biseda, zile, plane, bredhje, soditje, kafe, cigare, shikime, përfytyrime… Dhe vetura ngadalëson sërish me shpejtësi! Phu! Mu si ajo zilja e mallkuar e telefonit në prag të një puthjeje të shumëpritur nëpër filma.

    Stacione që ta përdhosin imagjinatën dhe që ta vonojnë mbërritjen në shtëpi. Për një taksë prej 40-50 denarëve. Një taksë e papërfillshme. Edhe për tetovarët. Po a është ajo e tillë për ata që me punë e për punë duhet ta përshkojnë përditë këtë segment? Nga disa herë në ditë. Ata, për të cilët kjo taksë përbën një fraksion të majmë të rrogës së tyre të një pune të mezifituar shteti. Apo për vizita nga halli nëpër spitale. Sido që ta kap, tepron e pakta njëri stacion. Si shpjegohet që arkëtohesh në dalje të aeroportit të Shkupit, në dalje të Shkupit dhe në hyrje të Tetovës?! Nëpër botë në njërin stacion merr një kartë si provë e shkeljes aty dhe në tjetrin lan taksën për kilometrat e kaluar në këtë aks. Këtu paguan në dalje të Tetovës dhe në hyrje të Gostivarit! Pa konsideruar domosdonëe shfrytëzmit të këtyre rrugëve… Tetova dhe Gostivari janë të lidhura me njëmijë fije!

    Mos duhet shqiptarët të sillen si një popullatë lokale, nëpër rrugë lokale, në vende pune lokale…? Ndoshta s’ishte kot ai debati i pas vitit 2001 për përdorimin e gjuhës, qëpatentshoferët e veturave të ishin vetëm në maqedonisht, kurse ato të traktorëve të ishin në shqip!

    Nuk vonon dhe në prag të Tetovës ta pret hovin edhe njëherë një patrullë policie! Shoferi rrëfen se këndej janë instaluar radarë shpejtësie. Ata do të lëshohen vrik në qarkullim. Si në Perëndim. Por, thonë ai, këto radarë do të lëshohen hë për hë në Shkup, Tetovë dhe Gostivar. Dhe e quan të rëndësishme ta nënvizojë: “Ku ka më shumë shqiptarë!” 

    Kështu foli shoferi. Unë e di një me siguri: Po të kishte një radar që ndjek mendimet e mërgimtarit, njëri do të dilte nga qarkullimi.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Tetova mbytet nga smogu, OJQ-të kërkojnë nga komuna veprime në terren

    Lajmi i rradhës

    Goditja e një fëmije nuk është disiplinë – ajo lë plagë që nuk shihen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë