Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në mjekësi

    DR. DRITAN TREPÇA
    DR. FATMIR BRAHIMAJ

    I nteligjenca Artificiale (IA) po përdoret gjerësisht duke transformuar me shpejtësi gjithë sektorët, përfshirë edhe kujdesin shëndetësor. Si një mjet i rëndësishëm i teknologjisë së lartë, IA ngjalli shpresa të mëdha. Roli i saj pati vlerësime, mbivlerësime dhe ekzagjerime duke ngjallur pritshmëri reale (të mundshme dhe të realizueshme) por edhe pritshmëri joreale, ndonjëherë edhe gabime. Sidoqoftë është i pamohueshëm roli i saj në rritjen, ndihmesën dhe forcimin e gjykimit njerëzor por jo zëvendësimin e plotë të tij. Duke u bazuar në përvojat e para të zbatimit të IA u pa e domosdoshme të përcaktohen parime që maksimalizojnë përfitimet e saj dhe minimizojnë rreziqet. Për këtë, në shumë vende, falë interesit të treguar në të gjitha elementët e shoqërisë, u hartuan strategji kombëtare, ligje specifike dhe rregullore të veçanta në institucionet publike dhe private ku filloi të përdorej IA. Edhe në sektorin e kujdesit shëndetësor u shfaq i njëjti qëndrim. Kështu, edhe organizmat profesionale kombëtare dhe ndërkombëtare dhanë kontributin e tyre me sugjerime dhe rekomandime etike dhe ligjore. Kështu u arrit të sigurohej që zhvillimi, rregullimi dhe përdorimi i saj të ishte në përputhje me etikën mjekësore të drejtat e njeriut dhe besimin e publikut në profesionin mjekësor. Në vendin tonë IA në mjekësi është në hapat e para të përdorimit të saj. Akoma tek ne nuk ka një ligj specifik (të veçantë) për të. Aktualisht përdorimi i saj bazohet në një nen të veçantë të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe një nen në Ligjin për Kujdesin Shëndetësor në Shqipëri. Edhe Kodi i Etikës dhe Deontologjisë i hartuar nga UMSH ka një nen mbi përdorimin e inteligjencës artificiale. Muajt e fundit edhe në vendin tonë po punohet për një strategji kombëtare për përdorimin e IA si dhe një kornizë ligjore, që do të rregullojë dhe disiplinojë mbarështrimin e saj.

    Ç’është IA?

    Në formën e saj më të thjesht, IA është një fushë në të cilën kombinohet shkenca kompjuterike me datasets (grupime të dhënash) të fuqishme, që mundësojnë zgjidhje problemesh. Ndryshe mund ta përkufizonim si sisteme kompjuterike të projektuar për të kryer detyra që zakonisht kërkojnë inteligjencë njerëzore, si: mësimi, zgjidhja e problemeve, kuptimi i gjuhës dhe njohja e modeleve. IA përdoret për të mbështetur dhe jo për të zëvendësuar aftësitë njerëzore në kujdesin mjekësor. Parimi bazë është se një mjek i licencuar ruan gjithmonë autoritetin përfundimtar mbi çdo rezultat të IA, para se ky i fundit të ndikojë në kujdesin klinik. Më qartë akoma, ky parim garanton që përgjegjësia profesionale dhe gjykimi mjekësor të mos transferohet te makinat. IA imiton shumë aspekte të inteligjencës si arsyetimin, njohjen (dijet), të mësuarit, komunikimin, perceptimin dhe aftësinë për të manipuluar objektet. Forma e fuqishme e mësimit me makina vepron si qelizat e trurit dhe rrjeti i ndërthurur i neuroneve.

    Bazuar në këto aftësi IA përdoret në mjekësi për:

    Imitim të arsyetimit klinik
    Njohje të tablove imazherike
    Kërkim mjekësor shkencor
    Në shëndet publik/ epidemiologji, etj.

    Por në të gjitha fushat e kujdesit shëndetësor ku përdoret, IA ndihmon, lehtëson dhe redukton kohën e impenjimit me veprimin të personeli mjekësor, por ritheksoj nuk mund të zëvendësojë njeriun. Kurrsesi nuk duhet të na shkojë në mendje se mund të diagnostikohemi apo të mjekohemi nëpërmjet inteligjencës artificiale. I sëmuri nëpërmjet saj mund të marrë informacion të bollshëm për të kuptuar më mirë problemin e tij shëndetësor dhe të dijë për çfarë ta pyesë mjekun për mbarështrimin e problemit shëndetësor që ka. Përdorimi i IA në mjekësi ka qenë edhe në vëmendjen e gjitha organizatave ndërkombëtare mjekësore si: WMA, CPME, CEOM, ZEVA, etj.. Sigurisht, rekomandimet dhe sugjerimet e tyre etike dhe deontologjike mjekësore kanë dhënë një ndihmesë të madhe në përdorimin e drejtë dhe korrekt të IA. Duke vlerësuar si duhet rolin e saj dhe përgjegjësinë e personelit mjekësor, sigurinë e pacientit, etj.. Në themel të rekomandimeve të tyre theksohet roli themelor i profesionistëve shëndetësor në dizenjimin, supervizimin (mbikëqyrjen) dhe përdorimin e mjeteve të IA. Aty nënvizohet qartë se IA mbetet një mjet mbështetës i vendimmarrjes por asnjëherë zëvendësues i gjykimit klinik dhe ekspertizës mjekësore.

    Për të ilustruar këto po paraqesim disa prej këtyre parimeve:

    Njeriu në qendër të vëmendjes: Teknologjia duhet t’u shërbejë pacientëve dhe njerëzve, duke ruajtur dinjitetin, autonominë dhe të drejtat e tyre.

    Mirëqenia e mjekëve: Përdorimi i AI duhet të reduktojë barrën administrative dhe stresin profesional.

    IA si mjet i teknologjisë së lartë: duhet të shërbejë për qëllimet e kujdesit shëndetësor dhe jo si qëllim në vetvete.

    Llogaridhënia: Përgjegjësia për vendimet klinike mbetet gjithmonë tek mjeku.

    Transparencë dhe shpjegim të qartë: Rregullat e IA duhet të jenë të kuptueshme për mjekët dhe pacientët.

    Zbatim i sigurt: Kërkohet verifikimi real në praktikë dhe vlerësimi i ndikimit etik shoqëror.

    Zbatim i barabartë: Mjetet e IA duhet të jenë të arritshme në mënyrë të barabartë në të gjitha vendet.

    Qeverisja e të dhënave: Ruajtja e privatësisë dhe transparencës mbi sigurinë dhe cilësinë e të dhënave.

    Roli dhe përgjegjësitë e mjekëve:

    Gjykimi klinik dhe autonomia profesionale janë të pazëvendësueshme.

    Avokatia për pacientin – mjekët duhet të sigurohen që IA përdoret vetëm në interes të pacientit.

    Pjesëmarrja në zhvillim – mjekët duhet të jenë të përfshirë në zhvillimin dhe testimin e IA-së.

    Aftësitë profesionale – mjekët duhet të ruajnë kompetencat bazë dhe të trajnohen për përdorim të përgjegjshëm të IA-së.

    Raportimi i incidenteve – mjekët duhet të kenë mundësi të raportojnë gabime ose anomali të shkaktuara nga IA.

    Të drejtat dhe përfshirja e pacientëve

    Pëlqimi i informuar – pacientët duhet të dinë nëse dhe si IA përdoret në kujdesin e tyre.

    Të drejtat mbi të dhënat – pacientët mund të kërkojnë heqjen e të dhënave të tyre dhe të informohen mbi mënyrën e përdorimit të tyre.

    Autonomia – pacienti mund të refuzojë ndërhyrje të ndërmjetësuara nga IA dhe të kërkojë vlerësim vetëm nga njeriu.

    Mbrojtja e grupeve të cenueshme – përdorimi i IA-së nuk duhet të përjashtojë ose dëmtojë personat me aftësi të kufizuara ose minoritetet.

    Qeverisja, rregullimi dhe përgjegjësia ligjore

    Standarde të përditësuara – rregulloret duhet të përmirësohen vazhdimisht për të siguruar sigurinë e pacientëve.

    Përgjegjësia ligjore – duhet përcaktuar qartë midis zhvilluesve, mjekëve dhe institucioneve.

    Auditim i vazhdueshëm – kontrolle periodike për etikë, paragjykime dhe efikasitet.

    Integrimi klinik dhe zbatimi i IA në praktikë

    Validimi klinik dhe auditimi i vazhdueshëm janë të detyrueshme.

    IA duhet të integrohet pa penguar rrjedhën e punës klinike.

    Monitorim i pas-zbatimit për të parandaluar “driftin” e performancës.

    Qeverisja e të dhënave.

    Të dhënat e pacientit – përdorimi i tyre duhet të respektojë Deklaratën e Taipeit të ËMA dhe të gjitha ligjet për mbrojtjen e privatësisë.

    Të dhënat e mjekëve – nuk duhet të përdoren për ndëshkim apo mbikëqyrje; kërkohet transparencë, pëlqim dhe minimizim i mbledhjes së panevojshme të tyre.

    Mbikëqyrje institucionale – çdo organizatë duhet të ketë struktura të pavarura etike dhe të sigurisë për mbrojtjen e të dhënave.

    Arsimimi dhe ndërtimi i kapaciteteve.

    Aftësia digjitale për IA – duhet të përfshihet në kurrikulat universitare dhe në formimin e vazhdueshëm profesional.

    Barazia globale – të mbyllen boshllëqet arsimore mes vendeve të pasura dhe atyre në zhvillim.

    Rekomandime

    Për mjekët dhe shoqatat mjekësore: duhet të promovojnë edukimin mbi IA, pjesëmarrjen në qeverisjen e saj dhe transparencën ndaj pacientëve.

    Për institucionet shëndetësore: duhet të sigurojnë kuadër të fortë qeverisës dhe monitorim të vazhdueshëm.

    Për zhvilluesit e teknologjisë: bashkëpunoni ngushtë me mjekët gjatë gjithë ciklit të zhvillimit.

    Për rregullatorët: hartoni rregullore me kontributin e komunitetit mjekësor dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

    Për institucionet arsimore: integroni trajnimin mbi IA në programet mjekësore.

    Për kërkuesit: zhvilloni IA etike, të barabartë dhe të bazuar në prova.

    Siç shihet, zbatimi i këtyre parimeve kërkon përfshirjen dhe angazhimin serioz të të gjitha niveleve të shoqërisë, nga ligjbërësit, politikëbërësit, institucionet shëndetësore, personeli mjekësor dhe ai teknik ndihmës etj.. Vetëm kështu do të kemi një shfrytëzim korrekt të IA dhe do të bëhet e mundur maksimalizimi i përfitimeve dhe minimizimi i gabimeve dhe rreziqeve prej saj. Kështu edhe marrëdhëniet mjek – pacient nuk dëmtohen. Besimi forcohet kur përdorimi i IA është transparent, i sigurt dhe kursen kohë për ndërveprim njerëzor. Panorama

    Lajmi Paraprak

    Vëllezërit Vuçiq përmenden në komunikimet e Sky – dyshime për korrupsion të lartë

    Lajmi i rradhës

    BE-ja mund t’u ndalojë rrjetet sociale fëmijëve nën 16 vjeç

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë