Ridvan Azizi
Sociolog
Para dy ditësh lexova një lajm që tregonte se gjatë këtij viti, në Maqedoninë e Veriut është ulur numri i martesave, ndërsa është rritur numri i shkurorëzimeve. Ky zhvillim nuk përbën befasi. Ai nuk është as fenomen i këtij viti, e as specifikë e vendit tonë. Edhe të dhënat e viteve të kaluara, si dhe përvojat e vendeve të tjera, tregojnë se jemi pjesë e një transformimi shumë më të thellë shoqëror, i cili ka filluar dekada më parë dhe vazhdon të marrë forma gjithnjë e më të dukshme.
Që nga vitet 1960, me përshpejtimin e procesit të modernizimit dhe përhapjen e vlerave neoliberale, ndryshimet ekonomike, kulturore dhe teknologjike kanë transformuar mënyrën se si individët e konceptojnë familjen, autonominë dhe rolin e martesës. Ky proces nuk është i kufizuar në Perëndim; ai ka prekur shoqëritë myslimane, ato postkomuniste dhe pothuajse të gjitha vendet e Europës Lindore. Rezultati është i ngjashëm kudo: rritja e moshës së martesës, rënia e numrit të lidhjeve martesore dhe rritja e shkurorëzimeve.
Për të kuptuar pse ky ndryshim është kaq i thellë, duhet të shohim tek arsyet strukturore. Një prej faktorëve më të rëndësishëm është arsimimi dhe përfshirja e grave në tregun e punës. Arsimimi i lartë dhe pavarësia financiare, megjithëse ende në nivele të ulëta në Maqedoni, kanë krijuar mundësi që gratë të mos e shohin më martesën si domosdoshmëri ekonomike. Në shoqëritë e mëparshme, sidomos në ato bujqësore të organizuara rreth familjes së madhe, martesa kishte funksion të qartë ekonomik dhe social; sot, ky funksion është zbehur dukshëm. Me humbjen e funksionit ekonomik të familjes, martesa e humbet edhe rolin e saj të dikurshëm si themel i organizimit socio-ekonomik.
Rritja e individualizmit ka luajtur po ashtu një rol të madh. Individët gjithnjë e më shumë e konceptojnë veten si qenie autonome, me të drejtë të plotë për të ndërtuar një jetë sipas aspiratave personale. Kjo lëvizje e brendshme sociale çon në rritjen e pritshmërive: martesa duhet të ofrojë lumturi, përmbushje, barazi dhe stabilitet emocional. Për sa kohë martesa perceptohej si detyrim shoqëror dhe ekonomik, pritshmëritë ishin të ulëta; sot, në epokën e autonomisë personale, pritshmëritë janë shumë më të larta dhe zhgënjimi vjen më shpejt. Një tjetër element është liberalizimi i marrëdhënieve intime. Marrëdhëniet seksuale, të cilat deri vonë ishin të lidhura ngushtë me institucionin e martesës, sot janë pothuajse krejtësisht të pavarura prej tij. Kjo e redukton ndjeshëm motivin tradicional për t’u martuar. Martesa mbetet “e shenjtë” vetëm për aq kohë sa ruan funksionet e saj; me humbjen e shumë prej këtyre funksioneve, bie edhe imperativi i saj moral.
Në këtë kontekst, rritja e shkurorëzimeve nuk është fenomen i ndarë nga këto transformime. Gjersa rritet pavarësia e grave dhe pritshmëritë individuale, ulet toleranca ndaj marrëdhënieve të pakënaqshme. Ndërsa dobësohet stigma rreth ndarjes, divorci bëhet një zgjidhje e pranueshme dhe e normalizuar. Një element tjetër i rëndësishëm që ndikon veçanërisht në rritjen e divorceve është ajo që sociologu Zygmunt Bauman e quan “karakteri i lëngshëm” (likuid) i njeriut modern. Jeta moderne është jashtëzakonisht dinamike dhe ky dinamizëm e pengon njeriun të formojë një identitet të qëndrueshëm. Është pothuajse e pamundur të jesh sot i njëjti person që ishe dhjetë vjet më parë. Mirëpo, vazhdimësia e një martese kërkon një identitet ose karakter të qëndrueshëm, sepse partneri pret që ti të jesh i njëjti si në momentin e martesës, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë në kohën moderne.
Duke e vendosur Maqedoninë e Veriut në këtë kornizë, është e qartë se vendi ndodhet në fazën e tranzicionit demografik dhe kulturor. Megjithatë, ende nuk kemi hyrë në fazën tjetër, atë që tashmë është e pranishme në vendet perëndimore: rritjen e numrit të atyre që zgjedhin të mos martohen fare. Martesa është në krizë, por nuk është braktisur. Për shumëkënd, sidomos për gratë që përballen me shkallë të ulët të punësimit dhe mundësi të kufizuara ekonomike, martesa vazhdon të ketë funksion mbrojtës dhe simbolik.
Gjithashtu, krahas zhvillimeve moderne që përmendëm si shkak për humbjen e funksioneve tradicionale të familjes, sot elementi emocional dhe shpirtëror i saj është paradoksalisht më i lartë se në kohën paramoderne (ku dominonte interesi ekonomik), por më i brishtë se në fillimet e modernitetit. Në fakt, “masivizimi i dashurisë” si kusht për martesë është një produkt i epokës moderne, gjë që më parë ishte luks vetëm për një klasë të caktuar. Kjo është edhe një ndër arsyet kryesore të uljes së fertilitetit. Sot, ndryshe nga bota paramoderne ku fëmijët ishin forcë ekonomike dhe vazhdimësi tradicionale, ata shihen si përmbushje emocionale e çiftit. Kjo kërkon më shumë investim emocional dhe kohor, prandaj çdo ditë e më shumë ulet numri i fëmijëve nëpër familje.
Kjo është arsyeja pse shoqëria jonë ndodhet para “pikut të shkurorëzimeve”. Sociologjikisht, ky është një stad që paraprin periudhën e stabilitetit të ri: fillimisht rriten shkurorëzimet, pastaj rritet beqaria strukturore dhe vetëm më pas raporti martesë-divorc stabilizohet përsëri. Vetëm pasi ky proces të kalojë pikën kulmore, normat lidhur me martesën pritet të riformësohen dhe të krijohet një ekuilibër i ri midis martesës, autonomisë dhe formave të tjera të bashkëjetesës.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






