Në vend, 3 Dhjetori zakonisht kalon si një ditë me deklarata, fotografi dhe aktivitete protokollare, por jo si një ditë që pasqyron realitetin e personave me aftësi të veçanta. Për ta, ky është vetëm një kujtim i përvitshëm se institucionet kujtohen për ta një herë në vit, ndërsa 364 ditët e tjera mbeten të padukshëm në politikat sociale, në infrastrukturën publike dhe në prioritetet buxhetore. Pavarësisht ekspozitave dhe aktiviteteve që organizohen për këtë ditë, mbështetja reale mungon, ndërsa premtimet politike kanë mbetur të njëjtat prej vitesh.
Këtë vit, në “Porta Macedonia” hapet ekspozita me veprat e “Kolonisë së 14-të Ndërkombëtare Gjithëpërfshirëse të Artit të organizuar nga Mobiliteti Maqedoni”, një aktivitet që synon të promovojë shprehjen artistike të personave me aftësi të veçanta. Punimet e ekspozuara janë krijuar nga piktorë akademikë dhe artistë me aftësi të veçanta fizike nga vendi dhe rajoni, ndërsa Unioni rikujton se kjo koloni, e vetmja e këtij lloji në Maqedoninë e Veriut, ka për qëllim të sfidojë paragjykimet dhe të dëshmojë vlerën e tyre krijuese.
“Qëllimi i organizimit të kolonive artistike është të mbështesë dhe inkurajojë shprehjen artistike tek anëtarët e talentuar, persona me aftësi të veçanta fizike, të krijojë një perceptim të saktë të vlerave artistike dhe estetike, të zhvillojë aftësinë për të njohur dhe vlerësuar në mënyrë të përshtatshme shprehjet dhe fenomenet artistike nga jeta e përditshme”, thonë nga atje.
Por, jashtë kësaj hapësire të vogël arti, përditshmëria e personave me aftësi të veçanta mbetet e vështirë. Kryetari i SOS Vita, Ertan Shaqiri, për gazetën KOHA thotë se mbështetja institucionale është larg çdo standardi minimal. Ai përmend se ndonëse Qeveria dhe sindikatat diskutuan rritjen e pagës minimale në 24 mijë denarë në vitin 2024 dhe në 27 mijë denarë në vitin 2025, personat me nevoja të veçanta sot, në prag të vitit 2026, vazhdojnë të marrin shuma të papërfillshme.
“3 Dhjetori për shumë nga politikanët është vetëm një ditë për një fotografi në Facebook, por pas zgjedhjeve ata që dolën nëpër fotografi as nuk i përgjigjen më një kërkese për bashkëpunim apo organizim. Premtimet për rritjen e pagës minimale nuk kanë pasur asnjë ndikim real te ne, sepse mbështetja financiare për personat me aftësi të kufizuara vazhdon të jetë e ulët dhe e pabarabartë. Kërkoj që të mos na anashkalojnë më, sepse ne jemi pjesë e këtij vendi dhe kemi një rol të rëndësishëm në shoqëri”, theksoi Shaqiri.
Sipas informatave nga shoqata SOS Vita, deri në moshën 25-vjeçare, personat me nevoja të veçanta marrin vetëm 5.000 denarë për kujdes, ndërsa pas moshës 26 vjeç shumica marrin 16.000 denarë për mobilitet, duke e cilësuar këtë diferencë dhe këto shuma si dëshmi të boshllëkut mes premtimeve dhe realitetit. Për këtë, Shaqiri thekson se politika sociale, përkundër premtimeve të vazhdueshme, mbetet e shkëputur nga realiteti i komunitetit dhe se, sipas tij, pjesa më e dhimbshme është mënyra se si institucionet kujtohen për këtë kategori vetëm gjatë fushatave ose ditëve përkujtimore.
Ndërkaq, statistikat zyrtare e konfirmojnë këtë realitet të vështirë. Sipas regjistrimit të vitit 2021, në vend jetojnë 38.000 persona me një lloj aftësie të kufizuar, por organizatat joqeveritare vlerësojnë se numri real është të paktën dyfish më i lartë, pasi shumë qytetarë nuk regjistrohen ose kategorizohen gabimisht. Mbi gjysmën e tyre, rreth 54 për qind, janë persona me aftësi të veçanta fizike, ndërsa 27 për qind janë me aftësi intelektuale. Vetëm 15 për qind e fëmijëve me aftësi të veçanta janë të përfshirë në sistemin e rregullt arsimor, ndërsa mbi 80 për qind e personave në moshë pune janë të papunë, pavarësisht premtimeve për nxitje të punësimit dhe përfshirjes sociale.
Ndryshe, këto të dhëna e bëjnë të qartë se “3 Dhjetori” është shumë më tepër simbolikë sesa zbatim. Çdo vit mbahen ekspozita, konferenca dhe panele, por qasshmëria reale mbetet minimale. Transporti publik nuk është i përshtatshëm, procesi arsimor nuk u përshtatet fëmijëve me nevoja të veçanta, ndërsa asistenca personale vazhdon të jetë fragmentare dhe e kufizuar. Politikat sociale duken se ekzistojnë vetëm në dokumente, ndërsa realiteti rrallë ndryshon. /Koha/






