Pushteti vendor në Dibër vitet e fundit i kushton vëmendje të veçantë transparencës në punën e tij. E njëjta qasje po vazhdon edhe me përbërjen e re të zgjedhur në zgjedhjet e fundit lokale. Sipas udhëheqësisë së re, komuna ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në procesin e planifikimit buxhetor. Komuna e Dibrës, ndër vite, ka qenë ndër komunat më transparente, duke plotësuar standardet e parapara.
Në kuadër të transparencës, përveç formave të përcaktuara me ligj, këtë vit propozimet do të mund të dorëzohen edhe online. Besohet se transparenca online ka ndikim shumë pozitiv, sidomos kur bëhet fjalë për mendimin e qytetarëve lidhur me propozim-buxhetin e vitit 2026 dhe për projektet që duhet të jenë prioritare. Pushteti vendor i Dibrës, në kuadër të përgatitjeve për projekt-buxhetin e vitit 2026, ka njoftuar se ka vënë në dispozicion një formular online, përmes të cilit çdo person juridik apo fizik i interesuar mund të parashtrojë kërkesat, propozimet dhe sugjerimet e tij. Në komunikatën e komunës thuhet se ky formular u mundëson qytetarëve dhe subjekteve të kontribuojnë në përcaktimin e prioriteteve buxhetore.
“Ky formular u mundëson qytetarëve dhe subjekteve të ndryshme të kontribuojnë drejtpërdrejt në përcaktimin e prioriteteve buxhetore dhe në zhvillimin e projekteve që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës në komunë. Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes aktive të qytetarëve në të gjitha proceset buxhetore dhe zhvillimore, duke synuar krijimin e një mjedisi më gjithëpërfshirës dhe efikas për të gjithë banorët”, thuhet në komunikatë. Po aty është dhënë edhe linku https://dibra.gov.mk/buxheti.
Kjo mënyrë e transparencës është përshëndetur nga shoqatat qytetare, institucionet dhe qytetarët. Shoqatat e shumta në Dibër theksojnë se kjo është një mënyrë shumë e përshtatshme për të dhënë propozime për projekt-buxhetin 2026. Edhe personat fizik vlerësojnë se mundësitë për të kontribuar online janë dukshëm më të mëdha. Në afatet e parapara ligjore pritet të mbahen edhe debatet publike me qytetarët dhe organizatat qytetare. /Koha/






