Ndërtimtaria në vend shënon rritje të dukshme në numrin e projekteve të reja, por njëkohësisht tregon ngadalësim në vlerën e përgjithshme të investimeve, duke sinjalizuar një treg që lëviz, por me kapital më të vogël dhe projekte më modeste.
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) për muajin tetor 2025 e konfirmojnë këtë dinamikë të dyfishtë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë tetorit janë dhënë 446 leje ndërtimi, që përfaqësojnë një rritje prej 22.9 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Raporti thekson se vlera e paraparë e të gjitha objekteve arrin në 10.6 miliardë denarë, një shumë që megjithatë është 25.1 për qind më e ulët krahasuar me tetorin e vitit 2024.
Rënia e vlerës totale të projekteve krahasuar me tetorin e vitit 2024 lidhet me faktin se në atë periudhë ishte dhënë një leje për një projekt shumë të madh, ndërtimin e Rrugës Shtetërore A2 në aksin Bukojçani–Kërçovë, nënaksin Cërvicë–Kërçovë, me vlerë 44 milionë euro. Pa këtë projekt, numri i lejeve për ndërtim në tetor 2025 mbetet i lartë, megjithëse vlera totale e objekteve është më e ulët. Në strukturën e lejeve, 289 prej tyre janë për ndërtime të larta, që konfirmon se ndërtimi i banesave mbetet dominues në aktivitetin ndërtimor. Rajoni Juglindor udhëheq me numrin më të madh të lejeve, me 139, një shifër që dominohet nga projektet e banimit dhe komplekset e vogla private, duke reflektuar trendin e rritjes demografike dhe rikthimit të investitorëve të vegjël lokalë.
Në analizën e investitorëve, raporti tregon se ndërtimi mbetet i fragmentuar dhe i dominuar nga subjektet individuale, pasi 247 leje (55.4 për qind) i janë dhënë personave fizikë, ndërsa vetëm 199 leje (44.6 për qind) subjekteve afariste. Kjo tregon se pjesa më e madhe e lejeve për ndërtim i takon individëve, ndërsa subjektet afariste kryejnë një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit ndërtimor. Në aspektin e banimit, gjatë muajit tetor është planifikuar ndërtimi i 1,177 banesave, me një sipërfaqe totale prej 101,286 metër katror. Ky volum i lartë i banesave të reja tregon se kërkesa në tregun e pasurive të paluajtshme mbetet e fortë, pavarësisht rritjes së kostove të ndërtimit, krizave globale të materialeve dhe presioneve të inflacionit.
Në fund të raportit, theksohet se gjatë tremujorit të fundit të vitit 2025, aktiviteti i ndërtimit mbetet i lartë, me një numër të konsiderueshëm lejesh të dhëna, veçanërisht në Rajonin Jug-Lindor, që udhëheq aktivitetin krahasuar me rajonet e tjera. Megjithëse vlera totale e projekteve është më e ulët krahasuar me vitet kur janë realizuar investime kapitale, të dhënat tregojnë se sektori i ndërtimit vazhdon të jetë i gjallë, me rritje të ndjeshme të numrit të banesave dhe një pjesëmarrje të fortë të investitorëve individualë dhe afaristë, duke reflektuar një dinamikë aktive në tregun e pasurive të paluajtshme dhe zhvillimin e qyteteve. /Koha/






