GËZIM TUSHI
Ka kohë që shoqëria jonë është në gjendje turbulence sociale dhe paqartësie konceptuale, me shumë probleme strukturore e funksionale. Një situatë e përgjithshme që reflektohet në sjelljet dhe qëndrimet e njerëzve tanë, që ndodhen nën goditjet asocializuese të këtij modeli social që po adoptohet me shpejtësi në këtë tri dekada e gjysmë. Kjo është arsyeja pse shumë prej tyre janë në gjendje kaotike, shfaqin sjellje të çekuilibruara që cenojnë ekzistencialisht unitetin midis vetes dhe shoqërisë, individualitetit dhe socialitetit. Një situatë që dëshmon qartë se shoqëria është përballë një vale të zgjeruar të depresionit social.
Në këto kushte është e papranueshme shikimi empirik i kësaj situate të përgjithshme apo mbyllja e syve përballë problemeve endemike dhe ekzistenciale, qoftë për funksionimin në vetvete të shoqërisë dhe raportet dialektike me njerëzit tanë, nën etiketën e zhvillimeve koherente të postmodernitetit, apo akoma më keq, duke i mbuluar plagët patologjikisht të agravuara, me fasadën e përciptë apo etiketën e modernitetit. Shoqëria shqiptare nuk ndihmohet në luftën e përbashkët për të shëruar “plagët” dhe drejtpeshimin e saj, me indiferencë dhe miopizëm social. Situata kërkon angazhime dhe interpretime të shpejta e të kthjellëta, për të diagnostikuar dhe pastaj edhe përmirësuar problemet e saj.
Sepse problemet janë aq shumë të ndërlikuara dhe nuk mund të trajtohen me slogane empirike e vëzhgime pasive. Përkundrazi, ato kërkojnë “lente” të re analitike, si parakusht për të vlerësuar me objektivitet, faktin e prishjes së raportit themelor dhe ekzistencialisht të domosdoshëm, të dobishëm midis bërthamës sociale dhe gjeometrisë së lidhjeve njerëzore. Nëse do të perifrazoja idenë e sociologut Anthony Giddens, situata është e ndërlikuar në përmbajtje dhe formë dhe me sa duket tashmë ndodhemi pa diskutim përballë nevojës për të bërë “Interpretime që kërkojnë më shumë ‘mish sociologjik’, për të kuptuar situatat sociale, raportet e ndryshuara shoqëri-individ, të cilat zhvillohen përtej kufijve të ‘liberalizmit normal’, apo nën efektet e degradimit të intensifikuar, duke sjellë një përplasje midis konceptimit të lirive të individit dhe antinomive që ato po sjellin në funksionimin e shoqërisë, në strukturën e jetës sociale, duke krijuar një gjendje përplasjeje midis dëshirave dhe sjelljeve anarkike të njeriut individualist, që shoqërohet me anomali të jetës dhe konvulsione evidente të përgjithshme të socialitetit. Ne nuk mund të heshtim përballë realiteteve që zhvillohen rreth nesh. Aq më pak të besojmë se problemet endemike të shoqërisë shqiptare, tashmë moderne të mund të konceptohen me “teoritë e pluhurosura” në raftet e vjetra të shpjegimeve me argument të ndryshkura të historisë tonë ideologjike. Përkundrazi, koha që jetojmë, problemet me të cilat po përballen njerëzit dhe shoqëria jonë, kërkon jo të sillemi si vëzhgues, por të hyjmë brenda saj.
Besoj se nuk është shqetësim teorik apo ekzibicion sociologjik, evidentimi i një të vërtete të madhe sociale, me të cilën duket se po përballet “dhunshëm” shoqëria shqiptare. Fjala është për shfaqjet e dukshme, agresive me efekte kolaterale në ndërtimin e jetës shoqërore, vendosjen e lidhjeve e marrëdhënieve sociale të njerëzve në jetën e sotme. Dominimi gati absolut i liberalizmit, shfaqjet brutale të indiferencës sociale e individualizmit ekstrem, ideja e vetëmjaftueshmërisë dhe autonomisë individuale, janë bërë një “limfë” sociale kontradiktore, me efekte e kundërefekte komplekse e pasoja komplementare. Shfaqjet e bujshme të njeriut egoist e egocentrik, që sillet si i vetëmjaftueshëm dhe asocial janë tregues të së vërtetës, se në shoqërinë shqiptare ka një zbehje të tejskajshme të bërthamës sociale e shoqëruar me ftohje të solidaritetit, humanizmit, komunitetit dhe komunitarizmit.
Të cilat janë në tërheqje gati strategjike, duke e lënë të hapur fushën e betejës vetëm për njeriun e vetëmjaftueshëm, arrivist, pa substancën e nevojshme sociale si kusht për funksionimin e shoqërisë dhe institucioneve themelore përbërëse të saj. Që të jemi të vërtetë dhe koherentë me kohën dhe zhvillimet e modernitetit social, duhet pranuar se dukuri të tilla sociale, kjo tipologji dominante e njeriut “pa bërthamë sociale” është e “huaj” gati e panjohur për shoqërinë tonë të dikurshme tradicionale, kolektiviste, me kohezion social të determinuar. Kjo kohë që jetojmë ka sjellë në mënyrë gati të pashmangshme, shumë dukuri të zbehjes së lidhjeve sociale që kanë qenë të panjohura më parë. Të paktën jo në këto përmasa. Tashmë jemi përballë me probleme strukturore e realitete funksionale të reja, lidhur me raportet e individit me shoqërinë, të qytetarit me institucionet sociale. Kjo është arsyeja pse ka rënë forca e institucioneve sociale si familja, martesa, lidhjet e gjakut, ndjenja e komunitarizmit etj.. Ndërkohë në mënyrë paralele janë forcuar prirjet individualiste, egoiste, egocentrike e narciziste që lidhjet sociale dhe “tutkallin” qytetar e ka reduktuar në kufijtë e ngushtë të interesit personal. Duhet t’i pranojmë dhe të mësohemi me ca të vërteta sociale të modernitetit. Sepse me sa duket, në mënyrë të pakthyeshme ka ikur koha e determinimeve esenciale të raporteve të shoqëri-individ, tipike për mënyrën e funksionimit të shoqërisë tradicionale shqiptare. Duhet pranuar e vërteta e asaj që po ndodh në shoqërinë tonë, e cila po përballet me procesin dialektik të zhvendosjes së matricave të dikurshme, shoqëruar me ndryshimin e raporteve të vjetra sociale, formave të ndërveprimit njerëzor. Situata e zgjeruar e anomalive dhe nervozizmit social, një dukuri që është e përhapur nga pikëpamja sociale dhe tejet e ndjeshme në personalitetin e shumë njerëzve, është dukuri e lidhur me natyrën e njeriut të kohës sonë, i cili duke qenë i izoluar, përballë një “shoqërie të ftohtë”, është bërë hiperaktiv dhe hiperneurotik. Padyshim, jeta liberale dhe individualiste, është një nga shkaqet e shqetësimit të njeriut, i cili i dhënë individualisht e tërësisht pas anës materiale, ka nxitim nga që duhet me i plotësuar objektivat sa më shpejt dhe sa më mirë të jetë e mundur. Situatë që shumë shpesh e bën të “huaj” në raport me të tjerët, me shoqërinë si tërësi sociale, duke u katandisur me statusin e një qenie të vetmuar, individi të izoluar. Me të drejtë duke tipizuar tipologjinë e kësaj shoqërisë, sociologu Zygmunt Bauman, e konsideron si shoqëri konkurruese pa bashkëpunim dhe solidaritet.
Fenomeni social është me ndikim evident në shfaqjen e zbehjes së përgjithshme të socialitetit, që ka kapluar sjelljen individuale gati në të gjithë sferat e jetës sociale dhe individuale. Gjithnjë e më shumë po përballemi me shfaqjen e njeriut egocentrist dhe dimension të kufizuar social, i cili kërkon të jetojë i shkëputur nga shoqëria. Sociologët duke vlerësuar intensitetin, kurbën rritëse të kësaj plage sociale, janë të shqetësuar jo vetëm për njeriun si qenie pa bërthamë apo bërthamë të kufizuar sociale, por edhe me faktin se agravimi i kësaj patologjie eksplozive, të pafrenuar ka rrezik ta vendosë shoqërinë në situatën e shfaqjes së “infarktit social”. Sepse “Hiperkapitalizmi i sotëm e shpërndan ekzistencën njerëzore tërësisht në një rrjet të marrëdhëniesh tregtare”, duke i kthyer marrëdhëniet midis njerëzve dhe atyre me shoqërinë në “marrëdhënie komerciale”. Zbehja e lidhjeve sociale, lufta për vetëmjaftueshmëri, tregon se “Imperativi shoqëror për t’i përkitur vetëm vetes e bën njeriun depresiv… depresioni vjen gjithashtu nga lidhja e varfër, e cila është karakteristikë e fragmentimit dhe atomizimit në rritje të jetës në shoqëri. Bung-Chul Han “Shoqëria e sfilitur” f. 19.
Padyshim vala e merkantilizmit, dominimi i verbër i ligjeve të tregut, thellimi i prirjeve liberale e individualiste, dobësimi lidhjeve sociale dhe funksionimi strukturave bazë të jetës komunitare e kanë “copëtuar kohezionin e brendshëm”, lidhjet sociale e marrëdhëniet njerëzore, duke e holluar së tepërmi “pelerinën e humanizmit”. Madje, duke e zëvendësuar atë me parime të një jete të vrazhdët, të inonduar nga prania e njeriut vulgar, qytetarit të rëndomtë dhe qenieve anormale, asociale e deri kriminale. Njerëzit përballë këtij realiteti, të shqetësuar për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë, kanë të drejtë të jenë të shqetësuar dhe skeptikë, duke shtruar pyetjen ekzistenciale, thelbësore për tipologjinë dhe natyrën e jetës që po jetojmë, që e ka formuluar sociologu dhe profesori i shkencave politike Kenneth Minogue: A mund të ketë humanizëm në një shoqëri të komercializuar?
Nëse ecet në këtë rrugë pa sens normal, shoqëria jonë nuk mund të normalizohet. Madje, mund të vazhdojë procesi degradues, që sjell në mënyrë progresive zbehjen, madje humbjen “bërthamës sociale” e njeriut, që nuk di si të ndërtojë relacionet sociale, të sigurojë lidhjet e domosdoshme humane. E keqja është se asocialiteti, izolimi social, në vend që të ndikojnë në nxitjen e aktivitetit pozitiv dhe integrimin social të individit në shoqëri, ndikon drejt dialektikës fatale të lirisë apo të drejtës së njeriut për të zgjedhur mënyrat e sjelljes individuale dhe qëndrimeve relative të angazhimit ose mosangazhimit social.
Duam apo nuk duam, është e vërtetë e padyshimtë që moderniteti e ka bërë shoqërinë tonë strukturalisht likuide e të paqëndrueshme, e cila ka kohë që shfaqet me statusin e shoqërisë me vlera relative, e ndikuar nga parimet e pragmatizmit dhe utilitarizmit. Por kjo nuk do të thotë se shoqëria shqiptare ka nevojë për njerëz asocialë, apatikë, kriminelë apo sociopatë, të cilët bëjnë jetë të izoluar, janë jashtë referencave të botës sociale. Ta mbledhim mendjen: Nuk ka shoqëri moderne pa solidaritet njerëzor. “Ne jemi specie shoqërore dhe shoqëria gjithmonë do peshojë në jetën tonë”. Ndaj na duhet të gjejmë urgjentisht sensin e solidaritetit njerëzor, pa të cilin asnjë shoqëri nuk është koherente”. Etel Adnan “Çmimi që nuk jemi të gatshëm të paguajmë për dashurinë” f. 11 Sado moderne, liberale dhe individualiste të bëhet shoqëria jonë, ka një të vërtetë universal, sipas së cilës, jeta individuale është edhe sociale. Dhe kjo është “vartësi e ndërsjellë”, historikisht e pandryshuar. /Panorama/






