Asgjë për t’u çuditur

    MIMOZA DAJÇI 

    Çdo përdorues celulari, rrjeti social, “Google”, “Facebook”, “YouTube”, “Instagram”, “ËhatsApp” etj., shpenzimet mujore i paguan nga xhepi i tij. Për këtë duhet t’u ndihemi falënderues atyre që i kanë shpikur. Fundja lehtësira janë, mjete komunikimi, por ndodhin edhe çudira. Nuk i flet dot askujt një llaf, një muhabet, më the të thashë. Kudo që të hedhësh vështrimin në shtëpi, punë e dyqan, i madh i vogël, kokulur të përqendruar mbi celularë. Nuk duan t’ia dinë ç’ndodh matanë “gardhit” të tyre. Të paktën kemi shpëtuar edhe nga thashethemet, sikur ka rënë vala e tyre kohëve të fundit.

    Në rrugë e njëjta gjë, drejtuesit e automjeteve nuk shikojnë rrugët e kthesat që u dalin përpara, por shkruajnë e lexojnë tekstet që u vijnë nëpër celularë. Një situatë kjo, tepër serioze e shumë të rrezikshme, jo vetëm për jetën e drejtuesit të automjetit, por edhe për kalimtarët. Nejse, po afronin festat e fundvitit, babai si zakonisht hartoi listën kujt duhet t’i shkonim së pari për vizitë për Vitin e Ri. Dita e urimeve erdhi, ishte 1 janar…

    – U bëtë gati – na pyeti duke rregulluar kollaren – se nuk do t’i shkojmë të tjerëve për darkë.

    – Po prit mor burrë të shikoj sobën, dritat, dyert i mbylla mirë apo jo, çezmën, ç’është ky nxitim kaq i madh?! Fundja, tek yt vëlla po shkojmë, jo tek bota.

    – Eh grua, ashtu thua ti, por kanë ndryshuar kohët.

    Sikur ta parandiente babai çfarë do të ndodhte më pas. U nisëm, babai me mamanë përpara, unë me gruan dhe dy djemtë e vegjël pas. Si “traditë shqiptari”, si djalë i vetëm, as vëlla, as motër, më tepër edhe për çështje të ngushta ekonomike jetonim akoma në një banesë me prindërit e mi.

    Mbërritëm te shtëpia e xhaxhait, derën e hapi vetë ai, vëllai i babait. Teto Lena na qerasi e na priti mirë, edhe fëmijët e mi u kënaqën shumë. Kur dolëm tek dera, duke na përcjellë xhaxhai na tha:

    – Edhe dëgjoni, mos e bëni më këtë gabim, herë tjetër urimet për Vitin e Ri, të mi dërgoni vetëm në “Facebook”.

    – Kush është “Facebook”- u? – pyeti i habitur babai. Unë me nusen shtangëm e morëm shkallët për poshtë.

    Asgjë për t’u çuditur, kjo histori i ka ndodhur Mondit, komshiut tim në Tiranë, i cili më dha një këshillë, “Meqë po afrojnë festat e fundvitit, mos u shkoni njerëzve tuaj për vizitë, mjaftohuni vetëm me një urim në ‘Facebook’”. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Një e treta e qytetarëve të Britanisë kanë përdorur inteligjencën artificiale për mbështetje emocionale

    Lajmi i rradhës

    U arrestua ish-drejtori i Drejtorisë së Librave Amë, Bujar Dardhishta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë