Gjykata e Apelit në Gostivar ka përmbysur vendimin e Gjykatës Themelore të Tetovës në gjyqin lidhur me zjarrin në spitalin modular të Tetovës, në të cilin humbën jetën 14 persona. Në vend që të dënoheshin me një vit e gjashtë muaj burgim efektiv, Gjykata e Apelit ua rriti dënimet drejtorëve të dënuar në tre vjet secilit, përcjell Nistori.
“Vendimi gjyqësor u ndryshua në pjesën e vendimit mbi sanksionin penal dhe në pjesën e vendimit mbi kërkesën pasurore juridike, kështu që të pandehurit F. B. dhe A. E., të cilët u shpallën fajtorë për veprën penale ‘Krime të rënda kundër sigurisë publike’ sipas nenit 292 paragrafi 4 në lidhje me nenin 288 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 2 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal, u dënuan me nga 3 vjet burg secili, ndërsa personi juridik i pandehur IShP Spitali Klinik Tetovë, i cili u shpall fajtor për veprën penale ‘Shkaktim i rrezikut publik’ sipas nenit 288 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 4 në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal, u dënua me gjobë në shumën prej 1.300.000,00 denarësh,” tha Gjykata e Apelit e Gostivarit në një deklaratë.
Vendimi i Gjykatës së Apelit vjen pas ankesave, si nga të dënuarit, ashtu edhe nga Prokuroria, kundër vendimeve të dhëna në rigjykimin që përfundoi në maj 2025. /Nistori/







