Nga 80 komunat e Maqedonisë së Veriut, 49 nuk kanë media lokale, sipas një analize të realizuar nga Narrative AI. Shumica e këtyre komunave mbulohen nga media rajonale me seli në qytete më të mëdha dhe të afërta, ndërsa pesë komuna nuk kanë fare mbulim mediatik, as nga mediat tradicionale lokale dhe as nga ato rajonale, përcjell Nistori.
Hulumtimi tregon se aktualisht në Maqedoninë e Veriut botohen 19 gazeta dhe revista. Prej tyre, 16 botohen nga subjekte botuese me seli në Shkup, ndërsa nga një botues vepron në Shtip, Sveti Nikollë dhe Prilep.
Gjatë dekadës së fundit, sipas regjistrit të botuesve të çregjistruar, 37 botime të shtypura janë hequr nga regjistri, përfshirë shtatë gazeta të përditshme. Ndër botimet e çregjistruara janë edhe dy nga botues me seli në Manastir dhe një nga Shtipi.
Sipas të dhënave të paraqitura në analizë, në vend funksionojnë 59 radiostacione, prej të cilave tetë kanë mbulim kombëtar, 14 rajonal dhe 36 lokal. Radiostacionet veprojnë në Shkup, Manastir, Gjevgjeli, Gostivar, Kavadar, Kërçovë, Koçan, Kumanovë, Novosellë, Prilep, Shtip, Strugë, Strumicë, Sveti Nikollë, Tetovë, Vallandovë, Veles dhe Vinicë.
Që nga viti 2014, sipas analizës, janë mbyllur 35 radiostacione. Ndër to përfshihen edhe radio lokale në Dellçevë, Berovë, Dollnen, Likovë, Mavrovë-Rostushë dhe Pehçevë.
Komunat e Kratovës, Negotinës, Kamenicës së Maqedonisë, Krushevës, Dojranit, Demir Hisarit, Qendrës Zhupë dhe Çashkës mbulohen nga mediat rajonale. Ndërkohë, Kriva Pallanka, Rankovca, Demir Kapija dhe Debrca nuk kanë mbulim mediatik as nga mediat tradicionale lokale dhe as nga ato rajonale.
Në Ohër, sipas analizës, mediat tradicionale lokale janë mbyllur, ndërsa mediat lokale që vazhdojnë të funksionojnë e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në internet.
Sa i përket sektorit televiziv, sipas të njëjtave të dhëna, në Maqedoninë e Veriut ka 43 kanale televizive, prej të cilave 17 kanë mbulim kombëtar, 12 rajonal dhe 13 lokal.




