Edhe pse Komuna e Dibrës disponon resurse të shumta natyrore me potencial të madh turistik, deri më tani këto mundësi janë shfrytëzuar minimalisht. Pikërisht për këtë arsye, pushteti vendor ka paralajmëruar se gjatë vitit 2026 do të përgatisë një Strategji gjithëpërfshirëse për zhvillimin e turizmit. Kjo u theksua në seancën e fundit të Këshillit Komunal, gjatë debatit për Raportin dhe Programin e zhvillimit të turizmit. Sipas paralajmërimeve, aktivitetet për hartimin e Strategjisë për zhvillimin e turizmit do të nisin gjatë tre muajve të parë të vitit 2026. Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, deklaroi se turizmi duhet të jetë shtylla kryesore e zhvillimit lokal, ndërsa mungesa e një dokumenti strategjik deri më tani ka qenë një pengesë serioze.
“Deri tani, Komuna e Dibrës nuk ka pasur një Strategji për zhvillimin e turizmit, edhe pse turizmi përfaqëson potencialin kryesor të zhvillimit komunal. Prandaj, gjatë tre muajve të parë të vitit të ardhshëm do të përgatisim një Strategji afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë për zhvillimin e turizmit. Ky dokument do të jetë bazë për planifikim serioz dhe të qëndrueshëm”, tha Mela.
Ai theksoi se Komuna planifikon të angazhojë një kompani profesionale me përvojë në këtë fushë, me qëllim që Strategjia të jetë funksionale dhe e zbatueshme. Sipas tij, Dibra ka mundësi reale për zhvillimin e turizmit malor, liqenor, banjar dhe formave të tjera të turizmit alternativ.
“Zhvillimi i turizmit banjar ka treguar përmes Banjave të Dibrës – Capa se sa ndikim pozitiv mund të ketë një degë e turizmit në zhvillimin ekonomik të komunës. Ky sukses mund të përsëritet edhe në fusha të tjera të turizmit, nëse veprojmë me planifikim dhe kuadro adekuate”, theksoi kryetari Mela.
Ai shtoi gjithashtu se qytetit i mungon një zyrë e posaçme – Qendër për zhvillimin e turizmit, e cila do të merrej me promovimin, koordinimin dhe mbështetjen e iniciativave turistike. Sipas të dhënave të administratës komunale, gjatë vitit 2025 është realizuar vetëm një spot promovues për bukuritë e Dibrës, çka vlerësohet si e pamjaftueshme për një promovim serioz dhe të denjë të potencialit turistik të rajonit. Për këtë arsye, një pjesë e këshilltarëve komunalë theksuan nevojën për materiale promocionale profesionale, të cilat duhet të jenë pjesë integrale e Strategjisë për zhvillimin e turizmit.
Kryetari Mela mori mbështetje të fuqishme nga këshilltarët komunalë për angazhimin e një kompanie profesionale në hartimin e Strategjisë, si dhe për rritjen e buxhetit të dedikuar për zhvillimin e turizmit lokal. Në debat u theksua gjithashtu se ndërtimi i Rrugës së Arbërit, e cila lidh Tiranën me Dibrën për vetëm një orë e 30 minuta, krijon mundësi të reja dhe shumë të rëndësishme për rritjen e fluksit të vizitorëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në këtë rajon. /Koha/






