Qendra e skijimit “Kodra e Diellit” në Tetovë është e gatshme për nisjen e sezonit dimëror. Nga drejtoria e kësaj qendre bëjnë të ditur se janë kryer përgatitje maksimale në drejtim të funksionalizimit të ski-lifteve, teleferikëve dhe makinave për shtypjen e borës. Drejtori i qendrës, Abdulgani Aliji, thekson se gjatë periudhës verore janë realizuar ndërhyrje teknike në ski-liftet ekzistuese dhe janë siguruar të gjitha lejet e nevojshme për funksionim.
“Për fillimin e sezonit kemi bërë përgatitje të plota sa i përket ashensorëve dhe teleferikëve. Të gjitha janë të gatshme për lëshim në funksion. Janë rregulluar edhe shtypësit e borës, ndërsa në disa staza janë bërë ndryshime, të cilat do të jenë të shënuara me sinjalistikë përkatëse. I kemi marrë të gjitha lejet e nevojshme për funksionimin e qendrës”, deklaroi Aliji.
Nga drejtoria njoftojnë se çmimet e biletave do të mbeten të njëjta me ato të sezonit të kaluar. Sezoni pritet të nisë zyrtarisht ditëve në vijim, në varësi të reshjeve më të mëdha të borës.
“Sipas parashikimeve meteorologjike, priten reshje të reja bore dhe sapo të krijohen kushtet e nevojshme, do ta hapim zyrtarisht sezonin e skijimit. Ofrojmë bileta ditore, gjysmëditore, sezonale dhe bileta për fëmijë, me çmime të pandryshuara nga vitet e kaluara”, shtoi drejtori Aliji.
Një problem i vazhdueshëm në “Kodrën e Diellit” mbetet siguria e vizitorëve, veçanërisht për shkak të lëvizjes së motoçikletave me ski nga persona privatë, të cilat kanë rrezikuar kalimtarët dhe skijatorët. Këtë sezon është vendosur ndalesë e rreptë për përdorimin e tyre.
“U bëjmë apel të gjithë atyre që posedojnë motoçikleta me ski që të mos qarkullojnë në hapësirat e qendrës së skijimit, sepse paraqesin rrezik serioz për vizitorët. Janë vendosur edhe shenja ndaluese”, theksoi Aliji. Problem tjetër mbetet parkimi. Mungesa e vendeve të mjaftueshme shpesh ka shkaktuar bllokim të rrugëve dhe kaos në ditët me fluks të madh vizitorësh. Sipas drejtuesve të qendrës, kjo çështje kërkon zgjidhje në bashkëpunim me autoritetet komunale.
“Çështja e parkimit është një projekt më i madh dhe nuk varet vetëm nga ne. Megjithatë, aty ku kemi pasur mundësi, kemi krijuar vende shtesë parkimi”, u shpreh Aliji. Interesimi më i madh për “Kodrën e Diellit” pritet gjatë muajve janar dhe shkurt, kur kushtet atmosferike janë më të favorshme për skijim. Transporti publik drejt qendrës edhe këtë vit do të organizohet vetëm gjatë fundjavave.
Ndërkohë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe premtimeve për investime serioze, “Kodra e Diellit” vazhdon të funksionojë pa prodhues artificial të borës, ndonëse qendra më të vogla skijimi në vend tashmë disponojnë pajisje të tilla. Megjithatë, përkundër mungesave infrastrukturore, qendra mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara dimërore, me numër të madh vizitorësh jo vetëm nga vendi, por edhe nga shtetet fqinje. /Koha/





