Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga miratimi i Planit Gjeneral Urbanistik për qytetin e Dibrës, ky dokument vazhdon të përdoret nga komuna. Kanë kaluar 21 vite nga miratimi i planit në fjalë dhe, ndonëse nevojat e qytetit dhe të banorëve kanë ndryshuar ndjeshëm, ai edhe sot shërben si bazë për planet urbanistike detale që janë në përdorim. Vlerësimet e pushtetit vendor janë se Plani Gjeneral Urbanistik i miratuar në vitin 2004 është i vjetërsuar dhe paraqet një barrierë serioze për zhvillimin e qytetit në të gjitha sferat e jetës. Në seancën e fundit të Këshillit Komunal në Dibër, kryetari i komunës, Fisnik Mela, para këshilltarëve theksoi se një nga prioritetet kryesore të Komunës së Dibrës gjatë këtij viti është miratimi i Planit të ri Gjeneral Urbanistik.
“Do të ndërmarrim të gjitha aktivitetet që Dibra, pas 21 vitesh, definitivisht të ketë një Plan të ri Gjeneral Urbanistik. Ka paralajmërime se qeveria do të japë përkrahje për përgatitjen e këtij plani. Por, njëkohësisht, edhe ne si pushtet vendor do të planifikojmë një dinamikë të veçantë për përgatitjen e Planit Gjeneral, nga i cili më pas rrjedhin edhe planet detale”, ka thënë kryetari Mela.
Ai ka paralajmëruar se aktivitetet në këtë drejtim do të fillojnë që në muajt e parë të këtij viti. Edhe këshilltarët komunalë, me në krye kryetarin e Këshillit, Afrim Kërkuti, kanë vlerësuar se Plani i ri Gjeneral Urbanistik është dokument bazë për zhvillimin e Dibrës, si në sferën e biznesit, ndërtimit të vendbanimeve të reja, planifikimit të hapësirave të gjelbërta, ndërtimit të vendparkimeve, ashtu edhe të objekteve për nevojat e institucioneve. Vetë fakti që kanë kaluar mbi 20 vite dëshmon qartë se plani aktual nuk është më efektiv.
Duke prezantuar planifikimin e planeve urbanistike për vitin 2026, arkitekti nga Sektori i Urbanizmit në Komunën e Dibrës, Gazmend Cami, tha se me Planin e ri Gjeneral Urbanistik pritet tejkalimi i shumë problemeve në sferën e urbanizmit. Parashihet edhe zgjerimi i territorit urbanistik të qytetit, çka do të krijojë mundësi për planifikime të reja ndërtimore. “Me planin e ri besohet se do të tejkalohen problemet dhe barrierat aktuale rreth urbanizimit të vendbanimit Rajçicë, përcaktimi i zonave të reja ekonomike, ndërtimi i objekteve të reja që janë nevojë e kohës, si dhe urbanizimi i bregut të Liqenit të Dibrës, ku ky plan është shumë i domosdoshëm. Plani aktual është shumë i vjetër dhe pengon zhvillimin e qytetit”, ka theksuar arkitekti Gazmend Cami.
Përpjekje për miratimin e një Plani të ri Gjeneral Urbanistik nga pushteti vendor ka pasur edhe më herët. Megjithatë, pavarësisht debateve dhe angazhimeve, ky dokument deri tani nuk është realizuar, pasi varet edhe nga institucionet qendrore. Përgatitja e tij kërkon mjete financiare, ndaj pushteti i ri ka paralajmëruar sigurimin e përkrahjes nga institucionet qendrore, por edhe angazhimin e vet për të siguruar fonde për këtë dokument bazë urbanistik. /Koha/






