TikTok po fut një teknologji të re për të zbuluar përdoruesit e mitur në Europë

    Fotografia: Mike Blake (Reuters)

    TikTok do të fillojë në javët e ardhshme të vendosë një teknologji të re për detektimin e moshës në të gjithë Evropën, njoftoi kompania të premten, ndërsa platforma në pronësi të ByteDance po përballet me presione rregullatore për të identifikuar dhe hequr llogaritë e fëmijëve nën 13 vjeç.

    Sistemi do të analizojë informacionet në profil, videot e publikuara dhe modelet e sjelljes për të vlerësuar nëse personi pas një llogarie të caktuar është i mitur, shkruan reuters.

    Tensionet rriten më tej nga fakti se një gjykatës në shtetin federal të Delaware në Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojë të premten kërkesën e TikTok për të hedhur poshtë padinë që prindërit e pesë fëmijëve nga Britania e Madhe e dorëzuan vitin e kaluar, pasi fëmijët vdiqën duke realizuar video “prank” dhe “challenge”.

    Në padinë thuhet se algoritmet e TikTok promovuan përmbajtje të rrezikshme për fëmijët, përfshirë sfidën e njohur si “blackout challenge” që inkurajonte vetë-dëmtimin përmes mbytjes.

    “ByteDance ka dëmtuar këta fëmijë pasi udhëheqësia e dinte që vendimet e tyre në programim mund të çojnë në vdekje aksidentale të fëmijëve”, thuhet në padinë e dorëzuar në Gjykatën e Delaware.

    Disa nga fëmijët ishin nën 13 vjeç.

    “Shprehim ngushëllimet tona më të thella këtyre familjeve”, tha një zëdhënës i TikTok, duke shtuar se kompania ndalon rreptësisht përmbajtjen që promovon ose inkurajon sjellje të rrezikshme. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Shqipëria ftohet nga Trump të jetë pjesë e bordit mbikëqyrës të Gazës

    Lajmi i rradhës

    A mund të dhurohet ose shitet një Çmim Nobel?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë