“Nuk e linda unë që ta rris për ta rrahur dhe djegur dikush të gjallë”, “Nuk do të na e shuani zemërimin”, “Vlerat familjare – rrahje dhe fyerje” – këto janë disa nga mesazhet e shkruara në pankartat e protestës së sotme në Shkup kundër femicidit, dhunës institucionale dhe pandëshkueshmërisë në vend, përcjell Nistori.
Marshimi protestues u organizua nga iniciativa joformale “Asnjë më shumë!”, ndërsa një numër i madh protestuesish u mblodhën në mesditë në parkun “Gruaja Luftëtare”, në Shkup. Prej andej, marshimi vijoi pranë Kuvendit dhe Ministrisë së Drejtësisë, për të përfunduar para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Shkak për organizimin e protestës u bë rasti i fundit i femicidit në Bogdanci, ku 17-vjeçarja Biljana Kiriç, e cila më parë kishte denoncuar dhunën dhe kërcënimet ndaj jetës së saj, u vra nga partneri i saj.
Aktivistët përkujtuan gjithashtu gratë dhe vajzat e tjera që humbën jetën si pasojë e dhunës – Ramayana, Rosica, Tankica, Ivana, Katja e shumë të tjera – duke ngritur pyetjen se sa viktima të tjera duhet të ketë që institucionet të zgjohen dhe të veprojnë.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit kërkuan llogaridhënie nga institucionet dhe personat përgjegjës, të cilët kishin për detyrë t’i mbronin viktimat.
“Ne kërkojmë emra, llogaridhënie dhe sanksione për të gjitha dështimet. Së dyti, kërkojmë që urgjentisht të propozohen dhe të miratohen ndryshimet ligjore për mbrojtjen nga dhuna. Së treti, kërkojmë rikthimin e koncepteve të gjinisë dhe barazisë gjinore në ligjet, programet dhe sistemin arsimor, prej të cilave i keni hequr. Nuk mund ta luftojmë dhunën me bazë gjinore nëse, në aspektin politik, minojmë vetë themelet e njohjes së saj. Së katërti, kërkojmë shkarkimin nga funksionet publike të atyre që bëjnë thirrje për kontroll mbi gratë, justifikojnë dhunën ose normalizojnë nënshtrimin e tyre”, deklaroi aktivistja Elena Petrova. /Nistori/





