Ristoska padit VMRO-DPMNE-në për pastrim parash në ‘Talir 1’ dhe synon gjykim deri në 2035

    Lënda për larje të parave nga ish-funksionarë të VMRO-DPMNE-së, me në krye Nikolla Gruevskin, vjetërsohet në vitin 2035 dhe për këtë arsye prokurorja Lençe Ristoska thotë se nuk do të heqë dorë nga ndjekja e krimit të kryer, edhe pse çdo ditë përballet me fyerje dhe presione nga pushteti.

    Derisa pret që Këshilli i Prokurorëve Publikë të mblidhet lidhur me kallëzimin kundër kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili e fyeu publikisht në një intervistë, ajo ka ngritur edhe padi civile kundër partisë, e cila në një komunikatë në tetor paralajmëroi “fundin” e saj, pasi në tetor të vitit të kaluar partia dërgoi kumtesë me titullin: “Ristoska, simbol i trishtë i padrejtësisë me bonuse shtetërore dhe kartë shërbimi në shërbim të Zaevit dhe Grubit“, e cila fillon me fjalët: „Çfarë fundi!“.

    “Po i shfrytëzoj të gjithë mekanizmat institucionalë që i kam në dispozicion, sepse është e papranueshme që cilido person i akuzuar të ushtrojë presion ndaj një prokurori publik, e aq më pak nga një pozitë pushteti. Kam paraqitur padi kundër partisë. Kam dërguar njoftim për kryeministrin te Këshilli i Prokurorëve Publikë si institucion i ngarkuar për mbrojtjen e pavarësisë së prokurorëve publikë”, deklaroi sot Ristoska pas shtyrjes në afat të pacaktuar të lëndës “Talir 1”.

    Gjykata Themelore Penale e zvarrit këtë lëndë dhe për këtë arsye, deri më tani, asnjë nga gjykatësit që e kanë gjykuar nuk është dënuar nga Këshilli Gjyqësor.

    Sot pati përpjekje që për herë të gjashtë të rifillojë nga e para ky rast i madh, për shkak të të cilit Nikolla Gruevski, i arratisur, nuk mund të kthehet në vend.

    “Mbrojtja në këtë rast e di se provat e Prokurorisë janë të pakontestueshme dhe të forta, prandaj strategjia e tyre provuese është e fokusuar në zvarritjen e procedurës, sepse vetëm përmes vjetërsimit të akuzuarit mund t’i shmangen përgjegjësisë. Nga ana tjetër, Prokuroria, pavarësisht vjetërsimit të veprës paraprake (keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimeve për Nikolla Gruevskin dhe Kire Bozhinovskin), konsideron se nuk ka pengesa për ndjekjen e veprës penale ‘Larje parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale’, për të cilën vjetërsimi sipas ligjit ndodh në vitin 2035”, deklaroi Ristoska për SDK.

    Ajo përfaqëson edhe aktakuzën “Talir 2”, në të cilën është ngrirë pasuria e Pallatit të Bardhë, përkatësisht selia e VMRO-DPMNE-së, dhe e cila vjetërsohet më herët.

    Në “Talir 1” për larje parash mbeten të njëjtit të akuzuar: Nikolla Gruevski, Kire Bozhinovski, Ilija Dimovski, Leko Ristovski dhe Mile Janakieski.

    Ky gjyq ka filluar që në shkurt të vitit 2019 dhe ende ndodhet në shkallën e parë.

    Rasti “Talir”, ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE. Akuza për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE e ngarkon ish liderin e saj, Nikolla Gruevskin për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për pastrim parash dhe përfitime tjera në bazë të veprave penale. Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski, akuzohen gjithashtu për të njëjtat dy krime, të dënueshme me burgim. Thuajse 4.9 milionë euro janë larë.

    Lajmi Paraprak

    Do të rrënohet objekti i ndërtuar pa leje në Çair

    Lajmi i rradhës

    Gjuha shqipe shpërfillet nga tabelat paralajmëruese të sistemit “Qyteti i Sigurt”

    Lajme tjera

    Franca nuk gjen qetësi

    Protestat masive në të gjithë Francën vazhduan edhe në fundjavë. Presioni duhet të vazhdojë, thotë një përfaqësues i…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë