Studentët shqiptarë me rezolutë për provimin e jurisprudencës

    Grupi i studentëve shqiptarë nga Fakultetet Juridike në vend e kanë gati një propozim-rezolutë për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës, duke kërkuar që ky provim profesional të mundësohet edhe në gjuhën shqipe. Rezoluta do ti dorëzohet kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ndërsa në të janë nënshkruar deputetët e BDI-së, të ASH-Sela, të ASH-Taravari, Fatmir Bytyqi i LSDM-së, ndërkohë që akoma hamenden deputetët e koalicionit VLEN. Në dokumentin që pritet këtyre ditëve t’i dorëzohet Gashit dhe Parlamentit, studentët theksojnë se ekziston bazë e qartë kushtetuese dhe ligjore që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, duke u mbështetur në Amendamentin V të Kushtetutës, si dhe në disa dispozita të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

    Sipas Rezolutës, ky ligj përcakton qartë se gjuha që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve në vend është gjuhë zyrtare në institucionet shtetërore, përfshirë edhe komisionet dhe trupat që veprojnë brenda tyre. Në këtë kuadër, studentët argumentojnë se edhe Komisioni për dhënien e provimit të jurisprudencës ka detyrim ligjor të mundësojë përdorimin e gjuhës shqipe. Në propozim-rezolutë theksohet gjithashtu se çdo qytetar ka të drejtë të përdorë gjuhën zyrtare në procedurat para institucioneve shtetërore dhe se institucionet janë të obliguara të sigurojnë zhvillimin e këtyre procedurave në gjuhën që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve.

    Studentët vlerësojnë se mosmundësimi i dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe përbën zbatim jo të plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe cenon parimin e barazisë para ligjit.

    “Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve përcakton se në Republikën e Maqedonisë çdo qytetar ka të drejtë të përdorë cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe alfabetet e tyre në të gjitha procedurat para institucioneve shtetërore, ndërsa institucionet kanë detyrimin ligjor t’u mundësojnë qytetarëve shfrytëzimin, përdorimin dhe zbatimin e këtyre gjuhëve zyrtare dhe alfabeteve të tyre në çdo procedurë, si dhe zhvillimin e këtyre procedurave në atë gjuhë zyrtare dhe alfabetin e saj; Nga kjo rrjedh detyrimi i të gjitha institucioneve shtetërore që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të mundësuar zhvillimin e papenguar të procedurave edhe në gjuhën zyrtare që e flasin së paku 20% e qytetarëve”, thuhet në Rezolutë.

    Në dokument theksohet gjithashtu se provimi i jurisprudencës është provim profesional për vlerësimin e njohurive juridike dhe jo test për njohjen e gjuhës maqedonase. Sipas studentëve, nëse është e nevojshme, verifikimi i njohurive të gjuhës maqedonase mund të realizohet përmes mekanizmave të veçantë të certifikimit gjuhësor. Po ashtu, në Rezolutë nënvizohet se studentët që kanë kryer studimet e drejtësisë në gjuhën shqipe në universitete të akredituara në vend nuk duhet të vendosen në pozitë të pabarabartë kur aplikojnë për provimin profesional.

    “Provimi i jurisprudencës është provim profesional për vlerësimin e njohurive juridike dhe nuk është test për njohurinë e gjuhës maqedonase, ndërsa verifikimi i njohurive të gjuhës maqedonase mund të realizohet përmes mekanizmave të veçantë për certifikim gjuhësor. Studentët e drejtësisë që kanë ndjekur studimet në gjuhën shqipe në universitete të akredituara në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk mund të vendosen në një pozitë të pabarabartë në momentin kur ushtrojnë të drejtën për qasje në provimin profesional. I bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit për Provimin e Jurisprudencës që, në përputhje me nenin 1 paragrafi 3, nenin 2, nenin 6 paragrafi 1 dhe nenin 23 paragrafët 4 dhe 5 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të sigurojnë pa vonesë organizimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe…”.

    Përmes këtij dokumenti, studentët i bëjnë thirrje edhe Qeverisë dhe Komisionit për Provimin e Jurisprudencës që të sigurojnë pa vonesë organizimin e provimit edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, raporton Koha.

    “Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që të sigurojë zbatim të plotë dhe konsekuent të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha organet dhe institucionet që ushtrojnë autorizime publike”, thuhet në dokument. Studentët u bëjnë thirrje edhe aktorëve politikë dhe institucionalë që të kontribuojnë në zbatimin e barabartë të të drejtave gjuhësore, duke theksuar se respektimi i këtyre të drejtave është në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe standardet evropiane.

    Në arsyetimin e rezolutës theksohet se qëllimi i saj është të sigurojë zbatim konsekuent të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe barazi substanciale për studentët shqiptarë të drejtësisë, duke shmangur pengesat që cenojnë qasjen e tyre në provimin profesional dhe në ushtrimin e profesionit juridik.

    “Me këtë Rezolutë, Parlamenti konstaton ekzistimin e bazës së qartë kushtetuese dhe ligjore për zhvillimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Rezoluta synon të sigurojë zbatim konsekuent të nenit 1 paragrafi 3, nenit 2, nenit 6 paragrafi 1 dhe nenit 23 paragrafët 4 dhe 5 të këtij ligji, dhe cenon parimet e shtetit të së drejtës, barazisë dhe sigurisë juridike. si dhe të garantojë barazi substanciale për studentët e drejtësisë që kanë ndjekur studimet në gjuhën shqipe. Moszbatimi i këtyre dispozitave krijon pengesë të pajustifikuar në qasjen profesionale dhe cenon parimet e shtetit të së drejtës, barazisë dhe sigurisë juridike”, thuhet në Arsyetimin e Rezolutës që do t’i dorëzohet kryeparlamentarit Afrim Gashi për ta vënë në votim në Parlament.

    Ndryshe, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov nga ZNAM-i ka përsëritur se institucioni që ai drejton, nuk do të lejojë që provimi i Jurisprudencës të zhvillohet edhe në shqip, pasi siç ka thënë ai, kjo nuk mundësohet me Ligj. Ekspertët në disa raste kanë theksuar se Filkovi e shkelë Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët shqiptarë, para një muaji me peticion prej më shumë se 380 nënshkrimesh nga studentë të Juridikut kërkuan provimin në shqip, por që u refuzuan. Kryeministri Mickoski fillimisht tha se “u lejohet studentëve provimi edhe në shqip”, për t’i ndryshuar fjalët të nesërmen. Tha se Ligji aktual nuk e lejon një gjë të tillë dhe se, duhet ndërhyrje ligjore.

    PROPOZIM-REZOLUTA E PLOTË PËR ZBATIMIN E LIGJIT PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE NË PROVIMIN E JURISPRUDENCËS

    Në bazë të nenit 68 paragrafit 2 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në bazë të nenit 204 paragrafit (1) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ju parashtrojmë Propozim- Rezolutë për zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në provimin e jurisprudencës.

    Në bazë të nenit 68 paragrafi 2 të Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në bazë të nenit 204 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,

    Duke u nisur nga:

    • Amendamenti V i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili garanton të drejtat gjuhësore për bashkësitë që përbëjnë së paku 20% të popullsisë;
    • Neni 1 paragrafi 3 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, sipas të cilit në të gjitha organet e qeverisjes shtetërore në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuha zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj; Jo vetëm nga interpretimi i kësaj dispozite, por edhe nga vetë leximi i saj, del qartë se përdorimi i gjuhës zyrtare që e flasin së paku 20% e qytetarëve nuk i referohet vetëm institucioneve dhe organeve shtetërore, por edhe komisioneve dhe trupave të tjera që funksionojnë në kuadër të tyre, siç është Komisioni për dhënien e provimit të jurisprudencës. Kjo do të thotë se edhe këto komisione kanë detyrimin ta zbatojnë këtë gjuhë si gjuhë zyrtare, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve;
    • Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve përcakton se në Republikën e Maqedonisë çdo qytetar ka të drejtë të përdorë cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe alfabetet e tyre në të gjitha procedurat para institucioneve shtetërore, ndërsa institucionet kanë detyrimin ligjor t’u mundësojnë qytetarëve shfrytëzimin, përdorimin dhe zbatimin e këtyre gjuhëve zyrtare dhe alfabeteve të tyre në çdo procedurë, si dhe zhvillimin e këtyre procedurave në atë gjuhë zyrtare dhe alfabetin e saj; Nga kjo rrjedh detyrimi i të gjitha institucioneve shtetërore që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të mundësuar zhvillimin e papenguar të procedurave edhe në gjuhën zyrtare që e flasin së paku 20% e qytetarëve;
    • Sipas nenit 6, paragrafi 1 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, institucionet janë të detyruara, sipas detyrës zyrtare, të sigurojnë që përdorimi, komunikimi dhe procedurat të zhvillohen në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në alfabetin e saj, nëse personi ose pjesëmarrësi flet gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë;
    • Neni 23, paragrafët 4 dhe 5 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, vendos detyrim ligjor që brenda një viti dispozitat e ligjeve të tjera të harmonizohen me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, dhe në rast të mospërputhjes së dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve me dispozitat gjuhësore të një ligji tjetër, organet janë të detyruara të zbatojnë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve;
    • Parimi juridik lex specialis derogat legi generali, që nënkupton se për të gjitha dispozitat gjuhësore, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve konsiderohet lex specialis dhe ka përparësi në zbatim në raport me ligjet e tjera.

    REZOLUTË

    1. Konstaton se, sipas kornizës kushtetuese-ligjore dhe dispozitave ligjore në fuqi, ekziston bazë e qartë ligjore dhe detyrim që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
    2. Vlerëson se mosmundësimi i dhënies së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe përbën zbatim jo të plotë, respektivisht shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe shkelje të parimit të barazisë para ligjit.
    3. Rikujton se provimi i jurisprudencës është provim profesional për vlerësimin e njohurive juridike dhe nuk është test për njohurinë e gjuhës maqedonase, ndërsa verifikimi i njohurive të gjuhës maqedonase mund të realizohet përmes mekanizmave të veçantë për certifikim gjuhësor.
    4. Thekson se studentët e drejtësisë që kanë ndjekur studimet në gjuhën shqipe në universitete të akredituara në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk mund të vendosen në një pozitë të pabarabartë në momentin kur ushtrojnë të drejtën për qasje në provimin profesional.
    5. I bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit për Provimin e Jurisprudencës që, në përputhje me nenin 1 paragrafi 3, nenin 2, nenin 6 paragrafi 1 dhe nenin 23 paragrafët 4 dhe 5 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të sigurojnë pa vonesë organizimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
    6. Kërkon nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që të sigurojë zbatim të plotë dhe konsekuent të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha organet dhe institucionet që ushtrojnë autorizime publike.
    7. U bën thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë që të kontribuojnë në zbatimin e barabartë të të drejtave gjuhësore, në frymën e shtetit të së drejtës dhe të standardeve evropiane.  8. Kjo Rezolutë do të publikohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

    KRYETAR I KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

    Arsyetim

    Me këtë Rezolutë, Kuvendi konstaton ekzistimin e bazës së qartë kushtetuese dhe ligjore për zhvillimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Rezoluta synon të sigurojë zbatim konsekuent të nenit 1 paragrafi 3, nenit 2, nenit 6 paragrafi 1 dhe nenit 23 paragrafët 4 dhe 5 të këtij ligji, dhe cenon parimet e shtetit të së drejtës, barazisë dhe sigurisë juridike. si dhe të garantojë barazi substanciale për studentët e drejtësisë që kanë ndjekur studimet në gjuhën shqipe. Moszbatimi i këtyre dispozitave krijon pengesë të pajustifikuar në qasjen profesionale dhe cenon parimet e shtetit të së drejtës, barazisë dhe sigurisë juridike.

    Lajmi Paraprak

    Kë e mendon Marta Kos kur flet për kalin e Trojës?

    Lajmi i rradhës

    Parlamenti Europian: RMV duhet ta zbatojë marrëveshjen me Bullgarinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë