Parlamenti Europian: RMV duhet ta zbatojë marrëveshjen me Bullgarinë

    Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me zbatimin e Traktatit të miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me Bullgarinë, si dhe Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, në përputhje me detyrimet e Kornizës Negociuese, thuhet në strategjinë e zgjerimit të BE-së të miratuar dje nga Parlamenti Europian, shkruan Racin, përcjell Nistori.

    Në këtë dokument eurodeputetët theksojnë se zgjerimi duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë dhe reverzibil, me ç’rast përparimi i secilit vend kandidat varet nga zbatimi efektiv i kritereve dhe vlerave të Bashkimit Europian. Asnjë vend nuk duhet të shihet si pjesë e një pakete dhe nuk mund të ketë “shkurtesa” sa i përket parimeve themelore të Unionit.

    Eurodeputetët gjithashtu e theksojnë edhe nevojën për zbatimin e plotë të vendimeve të gjykatave kombëtare dhe ndërkombëtare, respektimin e detyrimeve ndërkombëtare për krimet e luftës dhe personat e zhdukur, dhe kundërshtimin e glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe revizionizmin historik.

    Në dokument theksohet se qasja e bazuar në meritë mund të çojë në ngrirjen ose edhe në kthesë në procesin e negociatave të pranimit nëse ka një devijim nga vlerat themelore të BE-së. Negociatat mund të rifillojnë vetëm pas përparimit të mjaftueshëm në reforma. Eurodeputetët theksojnë se vendet kandidate që mbeten prapa në aspektin e qeverisjes demokratike duhet të përballen me pasoja nëse dëshirohet që procesi i zgjerimit të mbetet vërtet i bazuar në meritë.

    Në të njëjtën kohë Bashkimi Europian duhet t’i mbështesë në mënyrë aktive institucionet demokratike në vendet kandidate me qëllim përforcimin e stabilitetit dhe momentumit të reformave.

    Strategjia e definon zgjerimin si një përgjigje strategjike ndaj mjedisit të ndryshueshëm gjeopolitik dhe si një investim kyç në sigurinë dhe stabilitetin e BE-së.

    Autori i raportit, eurodeputeti Petras Auštrevišius, theksoi se përballë sfidave të sotme modeli i integrimit evropian duhet të përmirësohet për t’i reflektuar më mirë interesat e Unionit dhe pritshmëritë e vendeve kandidate.

    “Zgjerimi i BE-së duhet të shkojë krah për krah me reformat e brendshme që e mbrojnë funksionimin e Unionit dhe përmirësojnë procesin e vendimmarrjes, duke përfshirë edhe përdorimin më të madh të votimit me shumicë të kualifikuar. BE-ja duhet t’i përfundojë këto reforma deri në momentin kur vendet kryesore kandidate t’i përmbushin kriteret e anëtarësimit dhe të jenë gati për t’u bashkuar”, tha Auštrevišius.

    Në dokument theksohet se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë vendosur objektiva ambicioze për t’i përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2026 dhe 2027. Eurodeputetët i bëjnë thirrje BE-së t’i inkurajojë këto vende kur ambiciet e tyre mbështeten nga reforma reale.

    Vihet re se trendet më shqetësuese dhe tërheqja nga standardet demokratike vazhdojnë në vendet në zgjerim me shkallën më të ulët të koherencës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe në vendet negociatat e anëtarësimit të të cilave kanë ngecur në mënyrë efektive, sidomos në Serbi, Gjeorgji dhe Turqi.

    Lajmi Paraprak

    Studentët shqiptarë me rezolutë për provimin e jurisprudencës

    Lajmi i rradhës

    Dezinformatat / Jashari: në kohë zhurme, gazetaria profesionale duhet të jetë e dobishme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë