Në Paris flitet për një Evropë që nuk mund të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor, ndërsa në Bruksel rikthehen kushtet, polemikat historike dhe paralajmërimet për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut. Dy mesazhe, dy qasje dhe një proces integrues që vazhdon të mbetet peng i mosmarrëveshjeve ndërmjet Shkupit dhe Sofjes. Në njërën anë, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova kërkon që Bashkimi Evropian të dëshmojë vendosmëri strategjike për integrimin e rajonit, ndërsa në anën tjetër, përfaqësues bullgarë përsërisin se pa përmbushjen e detyrimeve të marra, rruga evropiane e vendit nuk mund të zhbllokohet.
Në Forumin e Paqes në Paris, presidentja Siljanovska-Davkova deklaroi se siguria evropiane është e pandashme nga stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor. “Evropa nuk mund të jetë e plotë pa një Ballkan Perëndimor stabil dhe demokratik, ndërsa siguria evropiane nuk mund të ndahet nga siguria e rajonit”, theksoi presidentja gjatë diskutimit me temë “Mbrojtja e vijës: Sovraniteti në epokën e kërcënimeve hibride”.
Duke analizuar zhvillimet aktuale ndërkombëtare, ajo vlerësoi se bota po kalon një periudhë transformimesh të thella, ku modelet e vjetra politike dhe gjeopolitike po shterojnë, ndërsa rendi i ri ende nuk ka marrë formë të qartë. Në këtë kontekst, presidentja iu referua konceptit interregnum, të trajtuar nga filozofi italian Antonio Gramshi, për të përshkruar periudhat e ndërmjetme kur dobësimi i rendit ekzistues dhe mungesa e një alternative të konsoliduar krijojnë hapësirë për pasiguri dhe rreziqe gjeopolitike. Sipas saj, pikërisht në rrethana të tilla, BE duhet ta trajtojë zgjerimin jo vetëm si proces administrativ, por edhe si instrument të sigurisë dhe stabilitetit të kontinentit.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë periferi e Evropës, por pjesë e saj e natyrshme gjeografike, historike dhe kulturore. Në vend që vetëm të kërkojë prej tyre të jenë më rezistente, Bashkimi Evropian duhet ta forcojë qëndrueshmërinë e tyre përmes përshpejtimit të integrimit”, deklaroi Siljanovska-Davkova.
Presidentja rikujtoi se Maqedonia e Veriut ka 21 vjet statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe, sipas saj, 17 raporte pozitive për përparimin e vendit, por ende nuk ka hyrë në fazën e hapjes së kapitujve negociues.Ajo ngriti dilemën nëse kërkesat e vazhdueshme për ndryshime kushtetuese janë në përputhje me parimet e sovranitetit dhe legjitimitetit demokratik. “Kushtetuta nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por edhe kontratë shoqërore. Sovraniteti im buron nga qytetarët dhe u përket qytetarëve. Po ashtu edhe legjitimiteti im”, deklaroi presidentja. Siljanovska-Davkova theksoi se respektimi i sundimit të ligjit, të drejtave dhe lirive të njeriut duhet të mbetet themel i integrimit evropian, por njëkohësisht kërkoi që procesi të mos shndërrohet në mekanizëm për imponimin e çështjeve që prekin sovranitetin kushtetues.
NGA BRUKSELI, MESAZHE TË ASHPRA PËR MICKOSKIN
Ndërkohë që presidentja kërkonte përshpejtimin e integrimit, në Parlamentin Evropian në Bruksel u përcollën mesazhe dukshëm më kritike ndaj autoriteteve në Shkup. Eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev, nga GERB dhe Partia Popullore Evropiane, kritikoi kryeministrin Hristijan Mickoski, duke e akuzuar se po e pengon perspektivën evropiane të vendit të tij.
“Mickoski po ua vë pengesat qytetarëve të vet. Ai po e shfrytëzon Bullgarinë dhe kjo është shumë jokorrekte dhe armiqësore. Nuk e di nëse e kupton se po e pengon vendin e tij në rrugën drejt integrimit evropian”, deklaroi Kovaçev. Deklaratat u dhanë gjatë promovimit të librit “Kontesti për bullgarët maqedonas në Evropën e pasluftës”, të autorit Spas Tashev, organizuar në Parlamentin Evropian me iniciativën e eurodeputetit Ivajllo Vëllçev.
Kovaçev shkoi edhe më tej me një parashikim politik për zhvillimet e ardhshme në rajon.“Pas rënies së Viktor Orbanit dhe Aleksandar Vuçiqit, mendoj se duhet të presim ndonjë lëvizje edhe në Shkup”, deklaroi ai, duke iu referuar ndryshimeve të mundshme politike. Eurodeputeti bullgar theksoi se e ardhmja e përbashkët evropiane e Ballkanit duhet të ndërtohet mbi modelin e bashkëpunimit që ekziston ndërmjet Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës, por shtoi se për këtë duhet të përmbushen kriteret dhe detyrimet e ndërmarra nga Maqedonia e Veriut.
MARRËVESHJA E VITIT 2022 NUK NEGOCIOHET SI ÇËSHTJE BILATERALE
Qëndrimi bullgar u riafirmua edhe nga ambasadorja e Bullgarisë në Belgjikë, Natalija Uzunova, e cila theksoi se zbatimi i marrëveshjes së vitit 2022 mbetet kushti për hapjen e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Sipas saj, marrëveshja është mbështetur nga të gjitha shtetet anëtare të Unionit dhe, për këtë arsye, nuk mund të paraqitet thjesht si mosmarrëveshje dypalëshe ndërmjet Sofjes dhe Shkupit. Ky qëndrim përputhet me deklaratat e mëhershme të Kovaçevit, i cili kishte kërkuar nga Komisioni Evropian sqarim të saktë për kuptimin e termit “çështje bilaterale”. Ai argumenton se të drejtat e njeriut, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe lufta kundër diskriminimit nuk mund të përjashtohen nga procesi evropian duke u klasifikuar vetëm si çështje ndërmjet dy shteteve.
Në këtë mënyrë, Sofja vazhdon të këmbëngulë se detyrimet e vitit 2022 janë pjesë e kornizës evropiane të negociatave, ndërsa Shkupi kundërshton mundësinë që procesi të shoqërohet me kërkesa të reja të karakterit historik dhe identitar.
POLEMIKA HISTORIKE DHE AKUZA PËR NDIKIMIN RUS
Promovimi i librit në Parlamentin Evropian riktheu në vëmendje edhe interpretimet kundërthënëse të historisë dhe identitetit maqedonas. Autori Spas Tashev paraqiti tezën se identiteti kombëtar maqedonas mori kuptim të ri politik pas vitit 1944, në kuadër të Jugosllavisë komuniste.Sipas tij, emërtimi “maqedonas” më parë përdorej si përcaktim rajonal për popullsitë e ndryshme që jetonin në territorin e Maqedonisë, ndërsa më pas u shndërrua në identitet të veçantë kombëtar.
Megjithatë, Tashev nuk u kufizua vetëm në interpretimet historike.Në një deklaratë për televizionin publik bullgar BNT, ai e cilësoi Maqedoninë e Veriut të pareformuar si një rrezik potencial për Bashkimin Evropian. “Shkupi i pareformuar do të jetë vetëm një kalë Troje i Moskës dhe një rrezik për BE-në nga brenda”, deklaroi Tashev. Ai pretendoi se struktura shtetërore dhe doktrina politike e Maqedonisë së Veriut janë ndërtuar nën ndikimin e Beogradit dhe Moskës dhe paralajmëroi se integrimi pa reforma, sipas tij, mund ta bartë ndikimin rus brenda institucioneve evropiane. /Koha/




