Zanatet në Dibër drejt zhdukjes  

    Në Dibër, kohët e fundit po vërehet një fenomen gjithnjë e më shqetësues: mungesa e zanatçinjve. Qytetarët përballen çdo ditë me vështirësi për të gjetur hidraulikë, elektricistë apo punëtorë ndërtimi, ndërsa mungesa e mjeshtërve të shërbimeve artizanale është kthyer në një sfidë serioze për familjet dibrane.

    Nga ana tjetër, biznesmenët ankohen për mungesë të theksuar të fuqisë punëtore në sektorin e shërbimeve, si bukëpjekës, picamenë, mjeshtër ëmbëltoreje, rrobaqepës dhe këpucarë.Sipas banorëve, pritja për një termin te mjeku shpesh është më e shkurtër sesa pritja për të gjetur një mjeshtër. Një qytetar tregon se ka kërkuar për disa ditë një mjeshtër për një ndërhyrje të vogël, por pa sukses.“Për riparimin e një defekti prita disa javë, ndërsa te mjeku gjeta termin brenda javës”, shprehet ai.

    Mungesa është e theksuar edhe te elektricistët. Ndërtimi i banesave kolektive shpesh vonohet pikërisht për këtë arsye, ndërsa investitorët detyrohen të sjellin punëtorë nga qytetet fqinje.Një pronar lokali tregon se prej muajsh kërkon kuzhinier dhe bukëpjekës.“Kam muaj që kërkoj, sidomos tani gjatë muajit të Ramazanit kemi shumë angazhime, por nuk ka punëtorë. Shumë prej tyre janë larguar jashtë vendit, kryesisht në Gjermani. Kanë mbetur shumë pak mjeshtër dhe nuk arrijnë t’i përballojnë kërkesat”, thotë ai.

    Kjo situatë po shkakton vonesa në riparime urgjente dhe kosto shtesë për familjet, të cilat shpesh detyrohen të kërkojnë shërbime në qytete të tjera.Problemi është i dukshëm edhe në zanatet tradicionale. Në Dibër aktualisht ka mbetur vetëm një këpucar, ndërsa deri vonë kanë qenë katër. Edhe numri i rrobaqepësve është reduktuar ndjeshëm, duke e bërë të vështirë për qytetarët të marrin shërbime në kohë.

    Sektori i gastronomisë përballet gjithashtu me mungesë të theksuar të stafit profesional. Kamarierët dhe kuzhinierët po bëhen gjithnjë e më të rrallë.Mungesa ndihet edhe në blegtori, ku fermerët ankohen për mungesë të mjeshtërve që përgatisin djathin tradicional dibran, pavarësisht pagesave të mira. Po ashtu, janë zhdukur pothuajse edhe drugdhendësit, të cilët dikur ishin të shumtë në këtë rajon, por sot kanë emigruar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

    Sipas organizatave joqeveritare që kanë trajtuar këtë fenomen, arsyet kryesore janë migrimi i fuqisë punëtore, plakja e zanatçinjve dhe mungesa e interesit të të rinjve për profesionet artizanale.Njohës të fushës vlerësojnë se rikthimi i arsimit profesional dhe mbështetja për zanatet tradicionale mund të ndihmojnë në zbutjen e këtij problemi. Dibra aktualisht nuk ka shkollë të mesme profesionale, ndërsa hapja e kurseve profesionale, subvencionimi i bizneseve të vogla dhe krijimi i databazave lokale të mjeshtërve do të lehtësonin lidhjen mes qytetarëve dhe shërbimeve që u nevojiten. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kriza troket në derën e investitorëve të huaj: probleme serioze për kompanitë në RMV

    Lajmi i rradhës

    NDRYSHIMET KUSHTETUESE | Mucunski: nuk mund të negociojmë me qeverinë teknike në Bullgari

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë