Ministria e Drejtësisë ka shprehur shqetësim për tentativat e manipulimit politik në protestën e së hënës, lidhur me moszbatimin e paralajmëruar, siç pretendojnë demonstruesit, të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në shqyrtimin e parë gjyqësor, përjell Nistori.
“Ministria e Drejtësisë respekton të drejtën për të protestuar si një nga të drejtat themelore demokratike të çdo qytetari. Shprehja e lirë e pikëpamjeve dhe iniciativave përmes tubimeve publike është një segment i rëndësishëm i një shoqërie demokratike dhe kontribuon në avancimin e dialogut publik. Megjithatë, na vjen keq që protesta tregoi edhe një herë përpjekje për manipulimin e qytetarëve nga struktura politike që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në krijimin e një gjendjeje të rënduar në sistemin e drejtësisë. Veprimet e tyre në kuadër të protestave aktuale ngrenë dyshime për tentativa manipulimi publik dhe përdorim të retorikës etnike për arritjen e qëllimeve afatshkurtra politike. Provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe nuk përbën procedurë administrative, por një mekanizëm për sigurimin e cilësisë dhe ekspertizës në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog konstruktiv me të gjithë aktorët dhe shqyrton me kujdes të gjitha nismat dhe propozimet, ekskluzivisht në kuadër të kompetencave ligjore.
“Prioriteti ynë mbetet forcimi i rendit juridik dhe ndërtimi i një sistemi të drejtë, transparent dhe cilësor të vlerësimit profesional, pa ndikime politike. Nuk do të lejojmë asnjë abuzim me Kushtetutën dhe ligjet”, thekson Ministria e Drejtësisë.
Studentët shqiptarë u mblodhën tek Ura e Gurit në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe. Ata i kanë bërë thirrje ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, që të respektojë ligjin dhe t’u mundësojë dhënien e provimit në gjuhën e tyre amtare. /Nistori/






