Gjuha dhe e drejta për të protestuar u vunë në qendër të reagimeve dhe zhvillimeve të fundit, pas protestës së ditës së hënë të zhvilluar nga studentë shqiptarë, të cilët kërkuan nga Qeveria, Ministria e Drejtësisë dhe ministri Igor Fillkov, që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në shqip, shkruan Nistori.
Ish-deputeti Ivon Veliçkovski dhe lider i partisë Republika e Re theksoi se gjuha përfaqëson liri dhe se shteti është i fortë vetëm kur garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët.
“Gjuha është liri. Këtë e dimë më së miri ne maqedonasit. Dhe ne jemi të lirë dhe të fortë kur garantojmë lirinë për të gjithë, përfshirë edhe gjuhën. Kjo nuk është çështje e BDI-së, VLEN-it, VMRO DPMNE-së apo LSDM-së. Bëhet fjalë për ndërtimin e një republike të re, për institucione që garantojnë liri dhe të drejta. Kjo është çështje e shtetit ligjor, asgjë më shumë dhe asgjë më pak”, u shpreh Veliçkovski.
Ndërkohë, mijëra studentë u mblodhën pranë Gjykatës Kushtetuese dhe marshuan deri te Ministria e Drejtësisë, duke kërkuar zgjidhje urgjente nga ministri Igor Fillkov.
Studentët deklaruan se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe do të vazhdojnë protestat derisa të arrihet një zgjidhje konkrete.
Në reagim, Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut shprehu shqetësim për, siç tha, tentativat për manipulim politik gjatë protestës dhe për përdorimin e retorikës etnike për qëllime politike.
Ministria theksoi se respekton të drejtën për protestë si një e drejtë themelore demokratike, por paralajmëroi kundër, siç u shpreh, përpjekjeve për ndikim politik në sistemin e drejtësisë. Sipas reagimit, provimi i jurisprudencës nuk është një procedurë administrative, por një mekanizëm profesional për sigurimin e cilësisë dhe ekspertizës në sistemin juridik.
Institucioni shtoi se mbetet i hapur për dialog konstruktiv me të gjithë aktorët dhe se do të shqyrtojë çdo nismë brenda kornizës ligjore, duke theksuar se prioritet mbetet forcimi i shtetit ligjor dhe një sistem i drejtë dhe transparent i vlerësimit profesional. /Nistori/






