Siljanovska: ndryshimet klimatike më nuk janë kërcënim, por realitet

    Ndryshimet klimatike më nuk janë kërcënim i largët, por realitet që e jetojmë çdo ditë, tha sot presidentja Gordana Siljanovska Davkova. Ajo theksoi se shteti duhet të kalojë nga një qasje reaktive në një qasje parandaluese, me politika të definuara qartë dhe përgjigje institucionale të koordinuara. Njëherit, e theksoi edhe obligimin kushtetues për mbrojtjen e natyrës, por edhe paralajmëroi se pa zbatim të vazhdueshëm të ligjeve dhe strategjive, dokumentet mbesin vetëm në letër, përcjell Nistori.

    “Sot, kur flasim për ndryshimet klimatike, nuk flasim për diçka të largët dhe abstrakte, por për një realitet që e jetojmë çdo ditë: për verat që zgjasin më shumë se jemi mësuar, për ajrin e ngarkuar me grimca PM, për ujin që po ndotet dhe po bëhet gjithnjë e më i pamjaftueshëm, si dhe për pyjet që po zhduken”, tha presidentja në eventin “Ndryshimet klimatike – Rreziqet dhe Sfidat”, që po mbahet sot në Vilën “Vodno”.

    Ajo theksoi se ndryshimet klimatike janë një shumëzues rreziku dhe kërkojnë një përgjigje të koordinuar institucionale.

    “Ndryshimi klimatik përshkruhet si një shumëzues rreziku, sepse jo vetëm që krijon sfida të reja, por edhe përforcon ato ekzistuese: ajo që ishte një problem ekonomik dje, sot bëhet problem social, ndërsa nesër problem sigurie. Në vitet e fundit, ngjarjet ekstreme të motit dhe klimës kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike dhe humbje të burimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në mundësitë e zhvillimit”, theksoi presidentja.

    Në fjalimin e saj, Siljanovska Davkova iu referua edhe detyrimit kushtetues për mbrojtjen e mjedisit. /Nistori/

      Lajmi Paraprak

      Masa të rrepta ndaj keqpërdoruesve me çmimet e ushqimeve

      Lajmi i rradhës

      NATO, BE dhe furia epike

      Lajme tjera

      Bashkohu

      Informohu në kohë