Çfarë do t’i sjellë RMV-së “non paper” i Waitz-it?

    Nisma e raportuesit për Maqedoninë Tomas Vajc, e dërguar te eurodeputetët për sqarimin e plotë të paqartësive me Protokollin me Bullgarinë, hapi dilema se sa kjo do të kontribuojë në zgjidhjen e çështjeve të hapura. Vajc njëkohësisht u bëri thirrje eurodeputetëve të sigurojnë mbështetje të gjerë për miratimin e tij në Komitetin për Punë të Jashtme. Në non-paper, përmes 7 pikave, ai e arsyeton kërkesën e lidhur me amendamentin 108 për raportin për Maqedoninë, por veçanërisht i rëndësishëm është pjesa nëse protokolli i dytë është pjesë detyruese e kornizës negociuese.

    “Nëse Protokolli përmban kushte identitare-politike, interpretim të historisë, klasifikim gjuhësor, përmbajtje të teksteve shkollore, kjo mund të jetë në konflikt me mbrojtjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase, të cilat vetë BE-ja vazhdimisht i njeh. Asnjë kandidaturë tjetër për anëtarësim nuk është e ngarkuar me kërkesa të krahasueshme për çështje identitare-politike nga një shtet anëtar. Kjo e ngre pyetjen nëse trajtimi strukturor i diferencuar i vendeve kandidate në procesin e anëtarësimit është i përputhshëm me parimin e përgjithshëm të barazisë”, tha Thomas Waitz, raportues për Maqedoninë e Veriut.

    Megjithatë, publiku ekspert nuk pret që kjo do të mund të ketë ndikim në tejkalimin e problemeve me Bullgarinë. Sipas Simonida Kacarskas nga Instituti për Politika Evropiane, kjo iniciativë është fisnike nga ana e raportuesit Vajc, por se rruga është e gjatë për të arritur deri te një zgjidhje lidhur me atë se cili është roli i vetë protokollit në kornizën negociuese. Megjithatë, ajo konsideron se rol kyç ka Komisioni të historisë.

    “Mendoj se çështja rreth ndryshimeve kushtetuese dhe zbatimi i tyre nuk do të preket nga një vlerësim i mundshëm se cili është efekti juridik i vetë protokollit. Mendoj se më shumë, ajo që unë do të vlerësoja është puna e Komisionit të historisë dhe procesverbalet e vetë Komisionit të historisë, sepse mendoj se këtu është paqartësia më e madhe. Ka interpretime të ndryshme, por nuk mendoj se çështja e ndryshimeve kushtetuese ka potencial përmes këtij instrumenti që ndoshta të ndikojë në vetë detyrimin”, u shpreh Simonida Kacarska, drejtoreshë e Institutit për Politika Evropiane.

    Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në emisionin “Klik Plus” në TV21, tha se është i nevojshëm kreativitet në leximin e protokolleve.

    “Kreativiteti ndonjëherë është i domosdoshëm dhe mund të ketë interpretim të protokollit të dytë dhe mund, edhe pse për një student të vitit të parë është e qartë se cila është natyra e tij, por unë nuk dua në televizion të flas për këtë, natyrisht edhe me protokoll të tretë, me interpretim ka shumë variante”, tha Gordana Siljanovska-Davkova, presidente e RMV-së.

    Pas dërgimit të non-paper-it, presidentja e Bullgarisë Iliana Iotova thirri në takim eurodeputetët bullgarë, ku u ishte përcjellë se është e nevojshme koordinim dhe angazhim më aktiv për mbrojtjen e pozicioneve bullgare. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    CNN: Maqedonia e Veriut në radarët e turizmit global

    Lajmi i rradhës

    Hetimi për tenderin e “Bechtel & Enka”-s me vlerë 22.3 milionë euro është bllokuar në MPB

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë