Në kabarenë e ashtuquajtur “Pulse”, në mbrëmjen e 16 marsit, kishte shumë të ftuar, përfshirë edhe të mitur, dëshmoi sot dëshmitarja Ana Zaharieva, e cila ndodhej në objekt në natën kritike, përcjell Nistori.
Ajo deklaroi se kishte shkuar në “Pulse” pothuajse çdo fundjavë që nga mosha 17-18 vjeç, ndërsa për mbrëmjen e 16 marsit tha se kishte mbërritur rreth mesnatës.
“Arrita rreth orës 12 të natës, bleva një biletë dhe ia dhashë rojes së sigurisë, i cili ma vulosi dhe më lejoi të hyja. Isha me një grup”, tha Zaharieva.
E pyetur nëse i kujtoheshin rojet e sigurisë që punonin atë mbrëmje, ajo u përgjigj se nuk i mbante mend.
Dëshmitarja përshkroi hyrjen dhe ambientin e brendshëm të diskotekës pas rinovimit, duke theksuar se dalja e dytë ishte e mbyllur.
“Atë mbrëmje kishte shumë njerëz në diskotekë”, shtoi ajo.
Sipas saj, pak para shpërthimit të zjarrit ishte kryer një kontroll për të miturit, por festa nuk ishte ndërprerë.
Zaharieva tha se nuk e pa momentin e shpërthimit të zjarrit, por sapo dëgjoi se kishte nisur, u drejtua menjëherë drejt daljes.
“Ishte çështje sekondash. Nuk isha shumë larg derës, ndoshta një apo dy minuta. Kur arrita te dera, i gjithë tavani tashmë po digjej”, tha ajo, duke theksuar se nuk kishte askënd që t’i udhëzonte për evakuim.
Ajo shtoi se në ngjarje të ndryshme në diskotekë, si koncerte, ditëlindje apo hapje sezoni, përdoreshin spërkatës.
“Isha bllokuar në rrëmujë, me 3-4 persona sipër meje. Humba ndjenjat dhe kur u zgjova, kërkova ndihmë. Kishte një polic me uniformë, por nuk arriti të më nxirrte. Pas pak erdhi një tjetër dhe më nxori jashtë”, rrëfeu dëshmitarja.
Si pasojë e zjarrit, ajo pësoi djegie në të gjithë krahun e majtë, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe qëndroi në spital për 42 ditë. Ajo njoftoi se do të kërkojë dëmshpërblim.
E pyetur nga mbrojtja e të pandehurit të parë, Dejan Jovanov-Deko, se si e dinte që objekti kishte qenë diskotekë dhe më pas ishte shndërruar në kabare, Zaharieva u përgjigj se ndryshimi nuk ishte vizual, por në orarin e punës.
“Ka qenë diskotekë deri vitin e kaluar, kur u rinovua. Brenda nuk kishte ndryshime, por ndryshoi orari: diskoteka funksiononte deri në orën 23:00, ndërsa kabareja pas orës 01:00-02:00 dhe zgjaste deri në 03:00-04:00”, tha ajo.
E pyetur nga avokati Jovica Strashevski nëse mund të kujtonte kush e kishte shpëtuar, dëshmitarja tha se nuk e mbante mend, për shkak të rrëmujës.
Ajo konfirmoi gjithashtu se kishte frekuentuar diskotekën edhe si e mitur dhe se hyrja e të miturve ishte lejuar edhe atëherë, “ashtu si edhe atë natë”.
Para fillimit të seancës, mbrojtja e të pandehurit të parë, pronarit të “Pulse”, Dejan Jovanov-Deko, kërkoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak, duke u thirrur në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Avokatja mbrojtëse, Ivana Kocevska, deklaroi se “masa e paraburgimit nuk i përgjigjet qëllimit dhe po shndërrohet në dënim para gjykimit”.
Gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska u përgjigj se gjykata është në dijeni të situatës, duke theksuar se i pandehuri i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale të premten, me pëlqimin e tij, dhe se mjekët kishin rekomanduar pushim të rreptë prej vetëm tre ditësh.
Prokuroria Publike njoftoi se, pas shqyrtimit të dokumentacionit, në fund të seancës do të vendosë nëse do të japë deklaratë ose do ta paraqesë atë me shkrim.
Zjarri në “Pulse” shpërtheu më 16 mars 2025, gjatë një performance të grupit DNA, dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në vend. Seanca e sotme vazhdon me paraqitjen e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve, me propozim të Prokurorisë, e përfaqësuar nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë. /Nistori/






