Borxhet e vjetra ‘mbajnë peng’ NPK ‘Standardi’ në Dibër, rritja e inkasimit nuk mjafton

    Ndërmarrja Komunale Publike “Standardi” në Dibër, e cila mirëmban higjienën komunale, menaxhon furnizimin e qytetit dhe fshatrave me ujë dhe realizon aktivitete të tjera shërbyese në interes të qytetarëve, në dekadat e fundit po përballet me probleme të shumta financiare. Kjo ndërmarrje, edhe pse realizon aktivitetet e parapara, vazhdon të ketë probleme me “gropën” e papaguar të kontributeve për periudhën 2002-2014, edhe pse ka shënuar rritje të madhe të inkasimit të mjeteve nga faturat.

    Problemet në këtë ndërmarrje, e cila është themeluar nga pushteti vendor, u debatuan edhe në seancën e fundit të Këshillit të Komunës, ku u shqyrtua raporti i punës së ndërmarrjes për vitin e kaluar. Përfaqësuesi i ndërmarrjes komunale, Dritan Mela, theksoi se gjatë vitit 2025 janë arritur rezultate të mira në rritjen e inkasimit, por jo edhe në tejkalimin e problemeve për pagesën e kontributeve të mbetura nga e kaluara.

    “Vjet përqindja e inkasimit nga familjet dhe subjektet juridike arriti në 71 për qind, që paraqet një sukses, pasi në vitet e kaluara inkasimi ka qenë në nivel shumë më të ulët. Por duhet të theksojmë se këtu ka shumë domethënie edhe aktiviteti i përmbaruesve, pasi një numër i madh i borxheve dhe pagesave të faturave u realizua nëpërmjet proceseve gjyqësore dhe përmbaruesve”, tha përfaqësuesi i ndërmarrjes.

    Duke sqaruar analizën e punës, ai veçmas informoi këshilltarët dibranë edhe për problemin e borxhit që ka ndërmarrja komunale për mospagesën e kontributeve në vitet e mëparshme. “Në periudhën 2002-2014 nuk janë paguar kontributet në fondin pensional-invalidor dhe kjo ‘gropë’ na shkakton probleme. Borxhi në këtë drejtim është 61 milionë denarë. Nga ana tjetër, ndërmarrja, me përkrahje të institucioneve qendrore, ka siguruar mbrojtjen shëndetësore për punëtorët”, tha Dritan Mela nga Ndërmarrja Komunale “Standardi”.

    Drejtori i ndërmarrjes komunale, Nertil Osmani, për gazetën Koha tha se pas marrjes së mandatit në fillim të këtij viti si drejtor, ka ndërmarrë të gjitha aktivitetet për stabilizimin e situatës në ndërmarrje.

    “Kemi koordinim me pushtetin vendor dhe me kryetarin e komunës, Fisnik Mela, për të ndërmarrë aktivitete për tejkalimin e problemeve që janë evidente. Komuna ka përkrahur ndërmarrjen me automjete të reja, kontejnerë, si dhe me angazhime për realizimin e projekteve në interes të mjedisit jetësor. Kemi plane dhe shpresojmë se do t’i ndërmarrim të gjitha aktivitetet për një higjienë maksimale të qytetit, të ketë një dinamikë më të mirë për grumbullimin e mbeturinave edhe në fshatra, si dhe të tentojmë që në bashkëpunim me qeverinë të mbulojmë mjetet që duhet të paguhen për tejkalimin e problemeve me kontributet e mbetura nga e kaluara”, tha drejtori Osmani.

    Në ndërmarrje ka 60 punëtorë me vendime të rregullta pune, por edhe 16 punëtorë me kontratë, të cilët janë tepër të nevojshëm për realizimin e obligimeve ditore të kësaj ndërmarrjeje.

    Lajmi Paraprak

    Mosmirënjohja

    Lajmi i rradhës

    Skandal në UKIM, regjistrime pa diplomë në master dhe doktoraturë në Fakultetin e Filozofisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë