“Nëse i arratisuri nga drejtësia ka marrë pasaporta serbe dhe hungareze, është e qartë se pas kësaj qëndrojnë aleatët dhe mbrojtësit e tij politikë, Viktor Orbán dhe Aleksandar Vuçiç, të cilët janë edhe mentorë politikë të Hristijan Mickoskit. Mosveprimi i qeverisë së Mickoskit dhe refuzimi i vazhdueshëm për të paraqitur një kërkesë të re për ekstradim përbëjnë një përpjekje të qëllimshme për t’i lënë hapësirë Nikolla Gruevskit dhe për ta mbrojtur atë. Ndërkohë që vende të tjera, si Polonia, veprojnë shpejt, Mickoski po i blen kohë Gruevskit. Mickoski dhe VMRO DPMNE nuk po bëjnë asgjë. Ata nuk duan që Gruevski të kthehet në Maqedoni dhe të përballet me drejtësinë. Kjo është mbrojtje klasike e Nikolla Gruevskit nga Hristijan Mickoski”, thuhet në reagimin e LSDM-së, përcjellNistori.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se, nëse paraqitet tani një kërkesë për ekstradim, ajo do të refuzohet, duke shtuar se ekstradimi është i mundur vetëm nëse i hiqet azili.
Çështja e ekstradimit është rihapur pas deklaratave të kryeministrit të ri hungarez, Péter Magyar, i cili, pas fitores në zgjedhje, theksoi se vendi nuk do të jetë strehë për persona të arratisur nga drejtësia.
Polonia tashmë i ka dërguar dy kërkesa Budapestit për ekstradimin e politikanëve në arrati: Zbigniew Ziobro dhe Marcin Romanowski. /Nistori/






