Derisa të tjerët, sipas VLEN, përhapin panik, mjegull dhe dezinformata, nga VLEN thonë se po punohet me fakte, vendime dhe hapa konkretë në fushën e kulturës shqiptare. Sipas tyre, arsimi dhe kultura mbeten shtylla kryesore të vizionit për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, përcjell Nistori.
“Për ne, arsimi dhe kultura janë shtyllat e vizionit tonë për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Në këtë drejtim, institucionet kulturore shqiptare jo vetëm që nuk janë në rrezik, por po hyjnë në një fazë konkrete forcimi dhe funksionalizimi”, thuhet nga VLEN.
Nga koalicioni bëjnë të ditur se angazhimi i Qeverisë VLEN dhe i zëvendësministrit të Kulturës, Sedat Sulejmani, ka sjellë zhvillime konkrete për Ansamblin Muzikor të Tetovës. Sipas tyre, po punohet në kompletimin e dokumentacionit për funksionalizimin e plotë të këtij institucioni, përfshirë edhe punësimin e rreth 20 artistëve në fazën e parë.
Ky hap, siç theksohet, konsiderohet i rëndësishëm për jetësimin e plotë të institucionit dhe forcimin e skenës kulturore shqiptare.
Në të njëjtën kohë, për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve në Shkup janë siguruar pëlqimet për 5 punësime të reja, që sipas VLEN tregojnë qasjen institucionale ndaj kulturës si vlerë strategjike.
“VLEN mbetet e vendosur që të garantojë jo vetëm mbrojtjen, por edhe zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve kulturore shqiptare, përmes mbështetjes konkrete për artistët, krijuesit dhe trashëgiminë tonë kulturore”, thuhet më tej.
Nga atje shtojnë se kultura shqiptare nuk mbrohet me fjalë, por me vendime, përgjegjësi institucionale dhe vizion të qartë politik. /Nistori/






