Nga viti në vit po rritet vetëdija e prindërve për vaksinimin e fëmijëve. Kjo lidhet me faktin se përmes vaksinimit është parandaluar përhapja e shumë sëmundjeve infektive, të cilat në të kaluarën kanë qenë fatale si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit.Në territorin e Komunës së Gostivarit, edhe pse vihet re rënie e natalitetit, në anën tjetër është rritur ndërgjegjësimi për vaksinimin e fëmijëve. Këtë e konfirmojnë nga shërbimi për vaksinim në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit në Gostivar.
“Në vitin 2024 kemi pasur 466 lindje, vitin e kaluar 367, ndërsa këtë vit deri më tani janë regjistruar 78 lindje dhe pritet që numri të arrijë mbi 300. Ndërkohë, këtë vit 89 për qind e fëmijëve kanë marrë vaksinat, ndërsa dy vite më parë ky përqindje ishte 86. Vaksinimi nuk është vetëm një proces mjekësor, por një garanci për shëndetin e fëmijëve dhe të gjeneratave të ardhshme”, thekson Lindita Gashi, motër kryesore në shërbimin e vaksinimit.
Këtë vit, Java e imunizimit organizohet nën moton “Mbrojmë Gjeneratat”.
Sipas profesionistëve shëndetësorë, vaksinimi nuk mbron vetëm individin, por edhe shoqërinë në tërësi. Nga shërbimi për vaksinim apelojnë që prindërit të mos presin momentin e regjistrimit të fëmijëve në shkollë për t’i vaksinuar, por ta bëjnë këtë në kohë, sipas kalendarit të vaksinimit. Gjithashtu, u bëhet thirrje prindërve të fëmijëve të lindur jashtë Gostivarit që të paraqiten në shërbim, në mënyrë që të shmanget lënia e fëmijëve pa vaksina, si pasojë e mungesës së informacionit apo neglizhencës.
“Ftojmë prindërit të bashkëpunojnë me ekipin tonë dhe të informohen për kalendarin e vaksinimit. Veçanërisht u bëjmë apel prindërve të fëmijëve të lindur në vitin 2020, që do të fillojnë klasën e parë, të mos presin muajin maj për regjistrim, por të kryejnë vaksinimin me kohë, pasi ai është kusht për regjistrim. Shpesh prindërit kërkojnë vetëm vërtetimin, por më e rëndësishme është që fëmija të jetë vaksinuar në kohë”, shton Gashi.
Mjekët theksojnë gjithashtu rëndësinë e vaksinës kundër HPV-së për të dy gjinitë. Edhe pse interesimi për këtë vaksinë mbetet ende i ulët, përvojat nga vendet e zhvilluara tregojnë se aplikimi i saj për një periudhë më të gjatë ka sjellë ulje të ndjeshme të rasteve me kancer. Sipas profesionistëve shëndetësorë, falë vaksinimit janë zhdukur ose janë vënë nën kontroll shumë sëmundje infektive si tuberkulozi, poliomieliti, difteria, tetanozi dhe fruthi, duke dëshmuar rolin kyç të imunizimit në mbrojtjen e shëndetit publik. /Koha/






