Burgim i përjetshëm për dy serbë të Kosovës për Banjskën

    Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm dy serbë të Kosovës, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Kurse Dushan Toliq u dënua me 30 vjet burg.

    Tre serbët u dënuan për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës, ku së bashku me një grup të madh serbësh vranë rreshterin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe plagosën dy policë të tjerë.

    Sipas vendimit të sotëm tre serbët e dënuar kanë qenë pjesë e grupit të serbëve, të armatosur rëndë, që fillimisht bllokuan urën në fshat, e më pas sulmuan policët e Kosovës që shkuan në vendngjarje për të hequr një kamion nga rruga që e kishte bllokuar grupi. Sipas organeve të drejtësisë së Kosovës grupi i serbëve udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, i cili gjendet në arrati në Serbi bashkë me shumicën e të akuzuarve të tjerë, pjesë e grupit. Gjykatësi Ngadhnjim Arrni, duke lexuar vendimin, tha se “qëllimi i grupit të armatosur në Banjskë ishte destabilizimi i strukturave themelore të Kosovës”. “Përmes planit të mirëorganizuar, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe këtë pjesë t’ia bashkojnë Serbisë”, tha Arrni.

    Avokatët: Vendim tepër të ashpër

    Avokatët e tre të dënuarve e kundërshtuan vendimin, duke thënë se “është shkelur e drejta penale dhe vendimin e cilësuan tepër të ashpër, duke akuzuar trupin gjykues se “nuk pati forcë t’i rezistonte presionit të vazhdueshëm të opinionit publik në Kosovë dhe pritjeve lidhur me rastin Banjska”. Ata thanë se do të paraqesin ankesë ndaj aktgjykimit.

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se vendimi i sotëm për dënimin e tre prej të akuzuarve për sulmin në Banjskë “është dëshmi se sulmi ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit nuk mbetet pa ndëshkim”, duke shtuar se “drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë nuk përfundon këtu, por do të përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit, në krye me Milan Radoiçiqin, të dalin para drejtësisë”.

    Ministri Sveçla për dënime maksimale

    Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se “vendimi i sotëm për burgim të përjetshëm ndaj dy terroristëve për rastin Banjska dhe dënimi për 30 vjet burgim për të tretin, dëshmon se të gjithë të përfshirët në sulmin e 2023-tës duhet të marrin dënime maksimale”.

    “Në këtë ditë të rëndësishme për drejtësinë e Republikës së Kosovës, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë duhej dhe duhet të reflektojë vetëm një standard: dënime maksimale për të gjithë të përfshirët. Ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 personash të identifikuar, pa përjashtim”, shkroi Sveçla në Facebook.

    Ai tha se “Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion” dhe se “ky vendim duhet të jetë një mesazh i qartë që kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë”.

    Reagim nga Zyra serbe për Kosovën

    Vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore të Prishtinës që dënoi dy serbë me burgim të përjetshëm dhe një me 30 vjet burgim, u kritikua nga Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, të cilin vendim kjo zyrë e cilësoi drakonik. Sipas kësaj zyreje, “Gjykata Themelore në Prishtinë e mori këtë vendim nën presionin e drejtpërdrejtë politik të Albin Kurtit”. Më tej në reagim thuhet se “ngjarjet tragjike në Banjskëishin pasojë e terrorit shumëvjeçar të regjimit të Albin Kurtit ndaj popullit serb në veri të Kosovës”.

    Autoritetet kosovare, sulmin në Banjskë, e kanë cilësuar “akt terrorizmi kundër rendit kushtetues të Kosovës” dhe kanë akuzuar Serbinë për përfshirje, por Beogradi zyrtar i ka hedhur poshtë pretendimet e Prishtinës.

    Tre serbët e dënuar sot në Prishtinë janë pjesë e një grupi prej 45 personash, ndaj të cilëve Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë, duke përfshirë këtu edhe Milan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe. Radoiçiq cilësohet si “udhëheqësi i grupit terrorist”. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Rritja ekonomike, a po vjen shtrëngimi i rripit në Gjermani?

    Lajmi i rradhës

    A po kryen punë bllokada detare e ShBA-së ndaj Iranit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë