“Revizion i kohës përmes Fatos Lubonjës” | Libër-homazh për 75-vjetorin e intelektualit shqiptar dhe ndikimin e tij në mendimin publik

    Ideimi dhe realizimi grafik i librit “Revizion i kohës përmes Fatos Lubonjës” është përgatitur nga dizajneri i njohur Ngadhnjim Mehmeti që vjen nga Tetova.

    Me rastin e 75-vjetorit të publicistit, shkrimtarit dhe intelektualit të njohur shqiptar Fatos Lubonjës, është botuar libri “Revizion i kohës përmes Fatos Lubonjës”, një përmbledhje me shkrime që vjen si homazh për jetën, mendimin dhe ndikimin e tij në hapësirën publike shqiptare, shkruan Nistori.

    Libri është iniciuar nga Holta Vrioni, Orgest Azizi dhe Ervin Hatibi, të cilët e kanë konceptuar këtë botim si një dhuratë të befasishme për Lubonjën, përtej një urimi formal për ditëlindje. Në parathënien shoqëruese thuhet se janë “të shumtë e të panumërt njerëzit që i gëzohen ekzistencës së Fatos Todi Lubonjës”, duke nënvizuar se ky botim synon të përcjellë një gëzim që shkon përtej autorëve dhe përtej vetë datës së përvjetorit.

    Libri është botuar nga “l’Oliveraie” dhe mbledh ese, reflektime dhe shkrime nga autorë të ndryshëm që trajtojnë figurën dhe veprën e Lubonjës nga këndvështrime të ndryshme filozofike, letrare, politike dhe personale.

    Mes kontribuuesve janë emra si Pavjo Gjini, Elidor Mëhilli, Idlir Aziza Nivick, Gresa Hasa, Shkëlzen Gashi, Ramadan Ramadani, Arbër Zaimi, Elsa Demo, Enis Sulstarova, Holta Vrioni, Orgest Azizi, Ervin Hatibi dhe Diana Malaj. Vetë titujt e eseve – si “Hija e diktatorit”, “Tregimet e burgut”, “Shqiptari tjetër”, “Montazh të dritës” apo “Revizion i kohës përmes Fatos Lubonjës” – sugjerojnë një lexim kritik të trashëgimisë intelektuale dhe morale të tij.

    Ideimi dhe realizimi grafik i librit “Revizion i kohës përmes Fatos Lubonjës” është përgatitur nga dizajneri i njohur Ngadhnjim Mehmeti që vjen nga Tetova. Nuk është thjesht mbështjellëse grafike, por pjesë e vetë idesë editoriale të librit. Ajo funksionon si një deklaratë vizuale mbi figurën e Fatos Lubonja dhe mbi raportin e tij me kujtesën, burgun, shkrimin dhe kohën.

    Dominon sfondi i bardhë dhe gri e zbehtë, që krijon ndjesinë e arkivit, dokumentit dhe memories së zbehur. Në qendër vendoset një bllok me dorëshkrime të mbivendosura, që i ngjan një flete të ruajtur, pothuaj si dëshmi personale apo fragment burgu. Kapësja e kuqe metalike në cep nuk është detaj dekorativ rastësor; ajo krijon idenë e dokumentit të arkivuar, të mbajtur me forcë, por edhe të memories që refuzon të shpërbëhet.

    Botuesit kanë bërë të ditur se libri do të shpërndahet falas, si në kopje fizike të limituara, ashtu edhe në version PDF për këdo që dëshiron ta ketë, duke e kthyer këtë përvjetor në një akt publik ndarjeje dhe reflektimi kolektiv, e jo thjesht në një festim simbolik. /Nistori/

    ***Një pjesë e parathënies Një party për Fatos Lubonjën:

    Lajmi Paraprak

    Identiteti europian përballë logjikës së dëbimit

    Lajmi i rradhës

    Shfuqizohet Qeveria Teknike në RMV

    Lajme tjera

    Ç’është dashuria 

    Orhan Pamuk Dashuria është dorëzimi. Dashuria është shkaku i dashurisë. Dashuria është të kuptosh. Dashuria është një muzikë.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë