Trungu i vërtetë i ASh-së që nga Struga e deri në Kumanovë është dhe do të mbetet në VLEN. Kështu tha në intervistë për Alsat Latif Arifi, njëri ndër themeluesit e ASh-së. Ai tha se Sela e Taravari, në momentet vendimtare për shqiptarët, u bënë gomë shpëtimi për Ali Ahmetin.
“Fatkeqësisht dy ish-kryetarët tonë që në momentet vendimtare kur bëhej beteja politike e shqiptarëve për ndryshim ata na braktisën dhe u bënë gomë shpëtimi për BDI-në dhe Ali Ahmetin. Ashtu si Ziadin Sela të njëjtën e bëri edhe Arben Taravari, por trungu i ASH-së ka qenë stoik, ka qenë i vendosur në betejën për ndryshim, për të sjellë ndryshimin te shqiptarët dhe unë mendoj se ai trung duke filluar nga Struga deri në Kumanovë është unik sot është bashkë në VLEN dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e barabartë e VLEN-it”, deklaroi Arifi.
Arifi: figura të reja në rikonstruimin e Qeverisë
Arifi tha se me rikonstruimin e Qeverisë, VLEN po shqyrton rifreskim të ministrave dhe zv.ministrave, por pa precizuar se cili nga ministrat aktual do të largohet nga pozita. Ai tha se VLEN do të bëjë analizë për punën e të gjithë funksionarëve.
“Sigurisht se ne si VLEN do të rishikojmë performancën e gjithë përfaqësuesve tanë duke filluar nga ekzekutivi, drejtoritë dhe do të ketë një rifreskim, mendoj se do të ketë edhe lëvizje të dikastereve, megjithatë ajo baza kryesore e marrëveshjes së koalicionit do të jetë e njëjta, mase mase mund të ketë pozitë edhe më të mirë”, theksoi Arifi.
Pra mund të ndërrohen figurat?
Mund të ndërrohen figurat një, dy apo tre se besoj më tepër megjithatë kjo është çështje që do të diskutohet brenda VLEN-it. Deri tani nuk kemi diskutuar për shkak se ne vlerësojmë se deri tani gjithë ministrat e VLEN-it kanë kryer punën me sukses kanë qenë ministra të suksesshëm
Nëse kanë qenë të suksesshëm pse duhet të ndërrohen?
Tash është temë e përgjithshme, përveçse është paralajmëruar prandaj thash do të bëjmë analizën e punës së gjithsecilit dhe pas kësaj analize do të vlerësojmë nëse duhet të ndërhyjmë të ndërrojmë ndonjë nga ministrat, zv.ministrat apo drejtorët






