Kërcënohet Blendi Hodai pas denoncimit që bëri për skandalin akademik në Universitetin e Tetovës

    Pas denoncimit të një rasti që lidhet me pretendime për avancim të kundërligjshëm në Universiteti i Tetovës, gjegjësisht Arbresha Bexheti Ferati, bashkëshortja e kryetarit të Senatit në Fakultetin e Mjekësisë, Kenan Ferati, u avancua duke shkelur mbi 15 dispozita ligjore dhe statutare, janë raportuar kërcënime dhe presione ndaj drejtorit të FNA-së, Blendi Hodait, si dhe përfaqësuesve të Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) dhe familjarëve të tyre, njofton Nistori.

    Drejtori ekzekutiv i FNA-së, Blendi Hodai, ka bërë të ditur se rasti tashmë është denoncuar në polici.

    “Sapo paraqita një kërcënues ordiner në Stacionin e Policisë në Tetovë, në lidhje me rastin e fundit që e kemi publikuar. Organet e rendit do të merren me secilin që këto ditë merr guximin të më kërcënojë mua, familjen time apo kolegët e mi. Ju e dini fort mirë që me mua kërcënimet nuk funksionojnë. Sa më shumë të kërcënoni, aq më e qartë bëhet se kemi prekur diçka që ju dhemb. Të vërtetën do ta nxjerrim deri në fund. Ama mos e provoni më me familjen time — kjo është vijë e kuqe që nuk kalohet.”, shkruan Hodai në Facebook.

    Nga ana tjetër, Forumi për Ndryshime në Arsim ka reaguar duke theksuar se platformat dhe stafi i tyre janë bërë objekt i një fushate të organizuar presioni, pas denoncimit publik që përfshin Arbresha Bexheti Feratin.

    Në reagimin e plotë thuhet:

    “Platformat tona dhe profilet personale të stafit janë shndërruar në shënjestër të një fushate me qëllim të frikësimit, kërcënimit dhe denigrimit menjëherë pas denoncimit publik të avancimit të kundërligjshëm të Arbresha Bexheti Ferati, bashkëshortes së kryetarit të Senatit të Universitetit të Tetovës, Kenan Ferati.
    Dje natën, gjërat shkuan më larg. Një individ, përmes profileve të rreme por edhe nga profili i tij origjinal, dërgoi mesazhe fyese e kërcënuese deri te familjarët e drejtorit ekzekutiv të FNA-së, Blendi Hodai.
    Njoftojmë opinionin publik dhe të gjithë ata që kanë ndërmend të ndjekin rrugë të ngjashme: Të gjitha rastet janë denoncuar në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë. Të gjitha masat e nevojshme po ndërmerren për zbardhjen e rastit. Kërcënimet te ne nuk pinë ujë. Universiteti i Tetovës do të çlirohet nga krimi dhe kriminelët akademikë.”, thonë nga FNA.

    Sipas njoftimeve, autoritetet në Tetovë pritet të ndërmarrin veprime për identifikimin dhe procedimin e personave të përfshirë në këto kërcënime. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Si të bëj djalë?” – Tregu i këshillave, miteve dhe boshllëqeve ligjore në Kosovë

    Lajmi i rradhës

    Mjekët e diasporës në ndihmë të shëndetësisë në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë