BDI kërkon llogaridhënie për dëmin e pretenduar miliona euro në MEPS, VLEN akuzon për hipokrizi

    Fotografia është përgatitur nga BDI

    Bashkimi Demokratik për Integrim edhe sot ka reaguar ashpër ndaj mungesës së transparencës nga Burim Latifi lidhur me një rast që, sipas tyre, ka shkaktuar dëm financiar rreth 6 milionë euro për buxhetin e shtetit. Partia kërkon transparencë të menjëhershme për vendimet kontraktuale dhe mënyrën si është menaxhuar ky proces, duke ngritur dyshime serioze për përgjegjësinë institucionale dhe interesin publik në këtë rast.

    “Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron krejtësisht të papërgjegjshme heshtjen e vazhdueshme të Burim Latifit, i cili edhe pas tre ditësh nuk ka dhënë asnjë sqarim për opinionin lidhur me dëmin prej rreth 6 milionë eurosh që i ka shkaktuar shtetit. Është e papranueshme që në një çështje kaq serioze, që lidhet me menaxhimin e mjeteve publike dhe përgjegjësinë institucionale, të mungojë transparenca dhe llogaridhënia. Opinioni publik ka të drejtë të dijë pse është ndërprerë kontrata me kompaninë e parë dhe cilat kanë qenë arsyet reale për një vendim të tillë. Po ashtu, kërkojmë përgjigje të qarta se pse për të njëjtën çështje është lidhur kontratë me një kompani tjetër nga Banja Luka, për të cilën në publik ekzistojnë dyshime për afërsi me struktura politike nga Republika Serpska dhe Millorad Dodikun. Nëse këto pretendime janë të sakta, atëherë lindin dilema serioze për procesin e përzgjedhjes dhe për interesin publik që është ndjekur. Sipas informacioneve të bëra publike, vendimi i organeve për zgjidhjen e kontesteve (DAB) ka rezultuar me një dëm financiar për shtetin në vlerë prej rreth 6 milionë eurosh. Kjo e bën edhe më urgjente nevojën që përgjegjësit të dalin para qytetarëve dhe të japin sqarime të plota.

    BDI vlerëson se Burim Latifi ka për obligim të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve të shpjegojë:

    * pse është prishur kontrata me kompaninë e parë,

    * mbi çfarë baze është lidhur kontrata e re me një kompani të afërt me Millorad Dodikun,

    * dhe si ka ardhur deri te dëmi financiar prej miliona eurosh.

    Transparenca dhe përgjegjësia janë detyrim. Heshtja në këtë rast vetëm sa rrit dyshimet dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore. Gjithashtu ftojmë prokurorinë publike të hetojë këtë rast, gjithashtu edhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Përgjegjësia ekziston dhe institucionet pa hezitim duhet të veprojnë.

    Sipas VLEN-it, procesi ka nisur në periudhën kur funksionarë të BDI-së mbanin pozita kyçe në MEPSO, përfshirë Bilen Saliji dhe ish-drejtorin Kushtrim Ramadani. Ata pretendojnë se projekti ka pasur realizim minimal prej vetëm 4% për pesë vite dhe se kontrata ka qenë jofunksionale.

    “BDI sot mbron një projekt për të cilin edhe drejtorët e saj në MEPSO kanë qenë të mendimit se duhet të ndërpritet. Dikush në BDI sot ka interes të madh të mbrojë një projekt që për pesë vite ka pasur realizim vetëm 4%, ndërsa i ka kushtuar shtetit shuma të mëdha parash. Të rikujtojmë: iniciativa për ndërprerjen e kontratës me “Energoinvest” nuk është e sotme dhe as vendim personal i dikujt. Ajo buron nga menaxhmenti i mëparshëm i MEPSO-s, në kohën kur drejtor i sektorit juridik ishte Bilen Saliji, ish-ministër i drejtësisë nga radhët e BDI-së. Pra, një kuadër i BDI-së e ka nisur procedurën për ndërprerje, sepse edhe vetë kanë konstatuar se kontrata është jofunksionale dhe u kushton shumë qytetarëve. Të njëjtin qëndrim e konfirmon edhe ish-drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Kushtrim Ramadani, gjithashtu kuadër i BDI-së, i cili publikisht ka deklaruar se do ta ndërpriste kontratën. Fjalët e tij janë të qarta: nuk ka pasur aktivitete në terren, nuk ka pasur bazë për rritje çmimi, kontrata ka qenë fikse, ndërsa kompania praktikisht nuk ka funksionuar. Këto nuk janë qëndrime të VLEN-it, këto janë qëndrime të njerëzve nga BDI. Faktet janë të pakontestueshme. Projekti ka pasur realizim vetëm rreth 4% në një periudhë pesëvjeçare. Kontrata ka qenë e skaduar. Me vite nuk ka pasur aktivitete ndërtimore, por vetëm përpjekje për kërkesa shtesë financiare në kundërshtim me kontratën. Në të njëjtën kohë, shteti ka paguar interese për kredi që nga viti 2015, ndërsa projekti qëndronte në vend”, thonë nga VLEN.

    Koalicioni thekson se vendimi për ndërprerje është bazuar në analiza të detajuara dhe në përputhje me standardet e European Bank for Reconstruction and Development dhe një projekti të mbështetur nga USAID.

    Lajmi Paraprak

    Si të menaxhojme emocionet negative për të ndaluar ngrënien e tepërt

    Lajmi i rradhës

    Dhunë në familje ndaj grave dhe fëmijëve | MPB arrestoi pesë persona

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë