Matura në Dibër mes ëndrrës dhe faturës

    Për 124 maturantë në Dibër, këtë vit po mbyllet një kapitull i rëndësishëm i jetës së tyre shkollore. Për ta, përfundimi i arsimit të mesëm shënon arritje, emocione, por edhe plane për të ardhmen. Megjithatë, krahas gëzimit të kësaj periudhe, vitet e fundit është bërë i pranishëm një fenomen që shqetëson shumë familje, sidomos ato me vështirësi financiare, pasi shpenzimet e maturës janë shumë të larta.

    Këtë vit, në gjimnazin e Dibrës “28 Nëntori”, që është shkolla e vetme e mesme në qytet, përfundon shkollimin gjenerata e 63-të. Në këtë gjeneratë, shkollën e mesme e përfundojnë 124 maturantë, nga të cilët 111 me mësim të rregullt dhe 13 me mësim me korrespodencë. Drejtori i shkollës, Argëtim Trepça, për gazetën KOHA thotë se edhe sivjet maturantët pritet të shpenzojnë shumë para. “Maturën sivjet e përfundojnë 111 maturantë me mësim të rregullt, nga të cilët 78 në gjuhën shqipe dhe 33 në gjuhën maqedonase. Nga këta, 95 kanë paraqitur maturën shtetërore, 65 në shqip dhe 30 në gjuhën maqedonase, ndërsa 16 janë paraqitur për maturën shkollore, 13 në shqip dhe 3 në maqedonisht. Sa u takon maturantëve me mësim me korrespodencë, që janë 13, 11 janë në gjuhën shqipe dhe 2 në gjuhën maqedonase. Edhe kjo gjeneratë, si duket, shpenzon shumë për festat e maturës, gjë që paraqet problem për familjet, veçanërisht për ato me vështirësi sociale”, thotë drejtori Trepça.

    Në Dibër, prej javësh, familjet e maturantëve kanë nisur organizimet e drekave dhe darkave, shpesh të shndërruara në evente luksoze. Kjo dukuri po shtohet dhe rëndohet nga viti në vit. Dikur festa e maturës organizohej më rrallë dhe më thjeshtë, por çdo vit po i shtohet luksi i tepërt. Restorantet rezervohen me kohë, ndërsa menytë po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta. Krahas kësaj, një tjetër barrë për prindërit janë veshjet e shtrenjta, që në shumë raste tejkalojnë mundësitë reale financiare të familjeve.

    Një maturante, P.T., thotë se për garderobën familja e saj ka shpenzuar shumë. “Fustanin e mbrëmjes së maturës e bleva në Kosovë. Më kushtoi 1100 euro. Edhe frizura dhe grimi do të kushtojnë rreth 500 euro. Për maturën kemi ftuar familjarët dhe miqtë në darkë në restorant. I kuptoj prindërit që janë shpenzime të mëdha, por kështu veprojnë pothuajse të gjithë”, thotë ajo. Si ajo, thuajse të gjithë kanë përafërsisht të njëjtat shpenzime dhe mendime.

    Nga ana tjetër, prindërit shprehen se dëshira për t’i bërë fëmijët të ndihen të veçantë në këtë moment të rëndësishëm shpesh i shtyn drejt shpenzimeve të ekzagjeruara. “Është një ditë që nuk përsëritet, por shpenzimet janë bërë shumë të rënda”, thotë F.M., prind i një maturanti, duke shtuar se presioni shoqëror luan rol të madh në këto zgjidhje.

    Edhe vetë maturantët ndihen të ndikuar nga trendet moderne dhe rrjetet sociale, duke kërkuar që çdo detaj i festës të jetë perfekt dhe i paharrueshëm. Kjo garë e heshtur për “më të mirën” po krijon një kulturë ku shpesh më shumë rëndësi i jepet pamjes sesa vetë arritjes.

    Në lidhje me këto shpenzime, drejtori i gjimnazit, Argëtim Trepça, thotë se bëhet fjalë për shpenzime të ekzagjeruara që rëndojnë buxhetin e familjeve. “Ky fenomen është në rritje dhe kërkon më shumë ndërgjegjësim nga të gjitha palët. Sugjerojmë që fokusi të rikthehet tek vlera e vërtetë e maturës – përmbyllja e një etape dhe fillimi i një rruge të re, e jo gara për luks”, thekson ai.

    Ndërkohë, shumë qytetarë bëjnë thirrje për më shumë thjeshtësi dhe organizime më modeste, në mënyrë që festa të mbetet një kujtim i bukur për të rinjtë, pa u kthyer në barrë për familjet e tyre, sidomos kur të gjitha këto shpenzime përmblidhen në vetëm disa minuta sfilatë në sheshin “Skënderbeu”. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    RMV, varfëria që nuk shihet në statistika

    Lajmi i rradhës

    UNICEF-i jep alarmin: dhuna prek çdo të tretin fëmijë në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë