Ndërsa përdorimi i inteligjencës artificiale gjeneruese po përhapet me ritme të ndryshme në Evropë, Maqedonia renditet nga fundi, si një ndër vendet më pak aktive në adoptimin e kësaj teknologjie. IA gjeneruese është një lloj inteligjence artificiale që jo vetëm analizon të dhëna, por krijon përmbajtje të re, si tekste, imazhe, kode apo audio, duke u bazuar në modele që ka mësuar nga të dhëna ekzistuese. Ndryshe nga sistemet tradicionale të IA-së që fokusohen te parashikimi apo klasifikimi, IA gjeneruese mund të prodhojë materiale të ngjashme me ato të krijuara nga njeriu, duke e bërë të dobishme në fusha si shkrimi, marketingu, programimi dhe dizajni.
Sipas të dhënave të Anketës Evropiane për Kushtet e Punës, publikuar në fund të muajit prill, rreth 12 për qind e punonjësve në Bashkimin Evropian përdorin IA gjeneruese në punën e tyre. Megjithatë, grafiku i publikuar tregon se disa vende jashtë bllokut, si Kosova renditet e shtata në Evropë, me 20 për qind të punonjësve që përdorin IA gjeneruese, pas Luksemburgut (25 për qind ), Zvicrës (24për qind ), Suedisë (21për qind ), Norvegjisë (21për qind), Belgjikës apo Danimarkës (20 për qind).

Ndërsa Shqipëria renditet e 11-a, me 18 për qind të punonjësve që raportojnë se e përdorin IA gjeneruese, në nivele të njëjta me Gjermaninë, Austrinë e Finlandë. Në vendet e tjera të rajonit, përdorimi i IA gjeneruese është shumë i ulët, me Maqedoninë e Veriut, Serbinë e Bosnjë Hercegovinën, që renditen në fund të Evropës, me vetëm 3 për qind përdorim.
Në Mal të Zi treguesi është pak më i lartë, në 10 për qind. Fqinjët, si Greqia, por edhe Italia, e përdorin shumë pak në vetëm 5për qind. Mjetet e IA gjeneruese përdoren më shumë nga burrat sesa nga gratë dhe nga punonjësit më të rinj në krahasim me ata më të moshuar. Të rinjtë shpesh kanë një njohje më të madhe me teknologjitë e reja, përfshirë IA gjeneruese, për shkak se janë rritur në një mjedis digjital. Ndërsa ka gjithnjë e më shumë prova se IA gjeneruese mund të rrisë ndjeshëm produktivitetin në profesionet me bazë njohurish, ajo mund të kontribuojë edhe në rritjen e monotonisë në punë, për shembull duke gjeneruar volume të mëdha përmbajtjeje që kërkojnë kontroll dhe rishikim të vazhdueshëm.
Megjithatë, një analizë paraprake e të dhënave të anketës së punës sugjeron të kundërtën: përdorimi i IA gjeneruese lidhet me një nivel më të ulët të detyrave monotone dhe me një probabilitet më të lartë që punonjësit të vlerësojnë vetë cilësinë e punës së tyre. Anketa Evropiane për Kushtet e Punës 2024, e publikuar në prill të këtij viti ofron një panoramë të plotë të cilësisë së punës në Evropë, duke analizuar karakteristikat e fuqisë punëtore, vendet e punës, cilësinë e punës dhe cilësinë e jetës në punë. /Koha/






