Edhe tre ditë pas zhdukjes së tabelës me mbishkrimin “Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve” dhe materialeve identifikuese të vendosura në korridorin e katit të tretë në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, situata në këtë institucion mbetet e paqartë dhe pa përgjegjësi konkrete. Deri më sot, askush nuk ka dhënë sqarime se ku kanë përfunduar tabela dhe materialet e larguara, ndërsa mungesa e informacionit ka shtuar konfuzionin në mesin e të punësuarve në këtë agjenci.
Megjithatë, sipas dokumenteve zyrtare, zhvendosja e Agjencisë nuk lidhet me vendime të fundit politike, por me një vendim të mëhershëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Në mbledhjen e mbajtur më 27 gusht 2024, Qeveria kishte vendosur që Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve të lirojë hapësirat në katin e tretë të objektit dhe të zhvendoset në katin e parë, aty ku gjendet Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve. Sipas këtij vendimi, sipërfaqja prej 308 metrash katrorë në katin e tretë duhet t’i vihet në dispozicion Ministrisë për Transformim Digjital. Vendimi i nënshkruar nga kryeministri Hristijan Mickoski është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare të datës 27 gusht 2024.
Në nenin 1 të vendimit qeveritar thuhet se: “përdoruesit të deritanishëm – Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i ndërpritet përdorimi i një pjese të pasurive të paluajtshme, përkatësisht hapësirave afariste që ndodhen në objektin administrativ në rrugën ‘Filipi i Dytë Maqedonas’ nr. 11 në Shkup, në parcelën kadastrale nr. 9506/15, Komuna Qendër 1, ndërtesa nr. 1, me destinim V4-10, hyrja 1, kati 03, nr. 16, me destinim të pjesës së veçantë/të përbashkët të ndërtesës, me sipërfaqe të brendshme prej 308.58 m² nga sipërfaqja e përgjithshme prej 841 m², në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Këto hapësira prej 308.58 m², sipas nenit 2, i jepen Ministrisë për Transformim Digjital. “Hapësirat e paluajtshme nga neni 1 i këtij Vendimi i jepen për përdorim të përhershëm, pa kompensim, Ministrisë për Transformim Digjital”. Madje, vendimi parashihte që dorëzimi dhe pranimi i hapësirave të realizohej brenda tre ditësh nga hyrja në fuqi e tij, që nënkupton se Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve duhej t’i lëshonte zyrat më 30 gusht 2024.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria kishte marrë edhe një vendim tjetër, me të cilin hapësirat e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, të vendosura në katin e parë të objektit, i ndaheshin Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve.
“Me këtë vendim, përdoruesit të deritanishëm – Ministrisë së Drejtësisë, Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, i ndërpritet përdorimi i një pjese të hapësirave të paluajtshme, përkatësisht hapësirave afariste që ndodhen në objektin administrativ në rrugën ‘Filipi i Dytë Maqedonas’ nr. 11 në Shkup, në parcelën kadastrale nr. 9506/15, Komuna Qendër 1, në ndërtesën nr. 1, me destinim V4-10, hyrja 1, kati 01, me destinim të pjesës së veçantë/të përbashkët të ndërtesës DP, me sipërfaqe të brendshme prej 115.83 m² nga sipërfaqja e përgjithshme prej 856 m², në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Hapësirat e paluajtshme nga ky Vendim i jepen për përdorim të përhershëm, pa kompensim, Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në vendim.
Megjithatë, ndryshe nga Agjencia, për të cilën së paku në letër është gjetur zgjidhje, edhe pse me hapësira dukshëm më të reduktuar, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve mbetet pa adresë funksionale. Nga 308 metra katrorë, Agjencia duhet të zhvendoset në vetëm 115 metra katrorë në katin e parë, duke marrë hapësirat e Inspektoratit, i cili tashmë nuk ka një zgjidhje të qartë për funksionimin e tij. Kjo e fundit – Inspektorati, do të duhet të zhvendoset në Ministrinë e Drejtësisë, pasi me ndryshimet e fundit të Ligjit, Inspektorati nuk është institucion i pavarur juridik, por pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. /Koha/






