Në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), më 12 nëntor, në Antalia të Turqisë, u zhvillua një dialog i nivelit të lartë kushtuar tranzicionit të drejtë energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve qeveritarë dhe ekspertëve të politikave klimatike, përcjell Nistori.
Në fokus të aktivitetit ishin politikat kombëtare klimatike, sfidat sociale dhe institucionale të tranzicionit energjetik, çmimi i karbonit, mekanizmi i BE-së për rregullimin e karbonit në kufi (CBAM), financimi klimatik dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.
Në panelin e diskutimit morën pjesë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut, Muamet Hoxha, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Kosovës, Fitore Pacolli Dalipi, zëvendësministrja e Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike e Turqisë, Fatma Varank, si dhe ekspertët e politikave klimatike Teodora Obradović-Grnčarovska dhe Ümit Şahin.
Diskutimi u moderua nga Agim Selami, hulumtues vizitor në Mercator–Istanbul Policy Center dhe drejtues i MEF-it.
Aktiviteti, i zhvilluar në Zonën Blu të COP31, shërbeu si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e mundësive për një tranzicion energjetik që, krahas objektivave klimatike, merr parasysh edhe pasojat ekonomike dhe sociale për qytetarët.
Agim Selami zhvilloi takime me personalitete të larta ndërkombëtare
Në margjinat e konferencës, Selami zhvilloi takime me ministrin turk të Mjedisit dhe presidentin e COP31, Murat Kurum, kryetarin e Londrës, Sadiq Khan, si dhe zëvendësministren turke dhe drejtoren ekzekutive të COP31, Fatma Varank.
Ai zhvilloi gjithashtu biseda me drejtues dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, ndërsa mori pjesë edhe në darkën ministrore të organizuar nga presidenti i COP31, Murat Kurum. /Nistori/




