Borxhi publik i Maqedonisë është sërish nën interesin e opinionit pasi vendi ballafaqohet me presionesh buxhetore, kostosh të reja që lidhen me krizën energjetike të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme. Ekspertët thonë se dilema është sa do mbetemi brenda kornizës së borxhit të qëndrueshëm apo po hyjmë gradualisht në një zonë me rrezik fiskal në rritje. Qeveria, megjithatë, siguron se menaxhimi i borxhit publik është i kujdesshëm dhe i orientuar drejt zhvillimit, shkruan gazeta KOHA. Në fund të prillit, qeveria miratoi Strategjinë e re Fiskale për periudhën 2027-2031, e cila, krahasuar me Strategjinë e mëparshme të rishikuar të Menaxhimit të Borxhit Publik 2026-2030, parashikon nevoja në rritje për huamarrje të jashtme dhe të brendshme, si rezultat i nevojave në rritje të buxhetit për financimin e projekteve kapitale dhe të infrastrukturës.
Sipas të dhënave, borxhi publik arrin në 10.747 miliardë euro ose 59.7% të PBB-së dhe është ulur me 1.5 pikë përqindjeje. Gjatë periudhën 2026-2031, shteti duhet të shërbejë rreth 9 miliardë euro borxh. Qeveria, megjithatë, siguron se menaxhimi i borxhit publik është i kujdesshëm dhe i orientuar drejt zhvillimit. Sipas ministres së financave Gordana Koçoska Dimitrieska, të dhënat e fundit që nga tremujori i parë i vitit 2026 tregojnë një rënie të borxhit publik si përqindje e PBB-së krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024. Sipas saj, kjo do të thotë që rritja ekonomike ishte më e madhe se rritja absolute e borxhit, duke treguar se fondet buxhetore kontribuuan në aktivitetin dhe zhvillimin ekonomik.
Njëkohësisht, ajo kujtoi se Qeveria po përballet me një barrë serioze të detyrimeve të ndërmarra në të kaluarën, të cilat duhet të shlyhen në vitet në vijim. Vitin e kaluar u shlye një eurobond prej 500 milionë eurosh, dhe këtë vit duhet të shlyhet një eurobond prej 700 milionë eurosh, gjysma e të cilit tashmë është shërbyer, ndërsa pjesa tjetër duhet të shlyhet në qershor 2026. “Nga viti 2026 deri në vitin 2031, kjo Qeveri ka detyrimin të shërbejë rreth 9 miliardë euro borxhe të vjetra në bazë të principalit dhe interesit”, thekson ministrja. Ajo paralajmëron se menaxhimi i borxhit publik bëhet veçanërisht i ndjeshëm kur niveli i afrohet pragut psikologjik prej 60 për qind të PBB-së, pasi duhet të ruhet stabiliteti i financave publike dhe në të njëjtën kohë të sigurohen fondet për zhvillim.
Dimitrieska-Koçhoska deklaroi se borxhi publik në vitin 2017 arriti në 4.78 miliardë euro, dhe deri në tremujorin e dytë të vitit 2024 arriti në 8.87 miliardë euro, që përfaqëson një rritje pothuajse të dyfishtë.
Ajo vuri në dukje se vetëm në periudhën nga gjysma e dytë e vitit 2024 deri në tremujorin e parë të vitit 2026, u siguruan 1.2 miliardë euro për shërbimin e euroobligacioneve, pa llogaritur detyrimet e tjera të projektit dhe huamarrjen e brendshme. Ministrja veçoi si veçanërisht të rëndësishme fondet e drejtuara për bashkitë dhe 250 milionë eurot e investuara në ekonomi, të cilat aktualisht regjistrohen si pjesë e borxhit publik, por sipas saj, do të kthehen në Buxhet dhe do të kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik.
Nga ana tjetër, ekspertët paralajmërojnë se qeveria duhet të bëjë kujdes me borxhin publik sidomos në suaza afatmesme duke marrë parasysh më shumë aspekte të nivelit të borxhit publik ku shteti ka gjithnjë e më pak hapësirë për manovrim për kriza të reja.
Profesori i ekonomisë Borçe Trenovski thekson se situata nuk është alarmante, por paralajmëron se duhet të jemi të kujdesshëm, sepse vendi tashmë po hyn në një zonë me rrezik të shtuar dhe mënyra se si do të shërbehet borxhi në periudhën e ardhshme është thelbësore. Megjithatë, ai është i shqetësuar për madhësinë dhe dinamikën e borxhit publik si dhe për aspektet e ndryshme të borxhit publike duke marrë parasysh edhe strukturën e ekonomisë karshi borxhit prej 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto ku kemi mbi 90 për qind të shpenzimeve rrjedhës për paga, pensione shpenzime sociale ku vetëm 10 për qind mbesin për shpenzime të lira që mund të përdoren, andaj do jemi shumë më të shtrënguar në këtë drejtim lidhur me shpenzimet e ndryshme produktive. Njëherësh shton se jemi shumë të varur nga importi dhe eksportojmë në pak shtete, ka pak hapësirë të hyjmë në borxh edhe për shpenzime produktive. Koha






