Përplasje për publikun, marrëveshje për postet!

    Marrëveshja për ndarjen e posteve mbetet në fuqi, ndërsa përplasjet publike nuk po i pengojnë negociatat për riorganizimin e Qeverisë. VMRO dhe VLEN po harmonizojnë propozimet për emërimin e zëvendësministrave, një proces që është zvarritur përtej afateve të paralajmëruara. Kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se zgjidhjet kadrovike pritet të konkretizohen gjatë nëntorit, duke garantuar se marrëveshja e arritur me partnerët e koalicionit në vitin 2024 nuk do të ndryshojë për shkak të zhvillimeve të përditshme politike. I pyetur nëse VLEN-it do t’i takojnë të njëjtat pozita edhe pas humbjes në zgjedhjet e Bërvenicës, Mickoski theksoi se fjala e dhënë ka më shumë peshë sesa matematika politike dhe se marrëveshja e koalicionit vlen deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare të vitit 2028.

    “Në jetë, me rëndësi është fjala dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme se fjala e dhënë. Fjala ju bën që ta ruani fytyrën tuaj. Ose e keni ose nuk e keni, nuk ka kompromis me gjëra të tilla. Unë, si njeri, kur merrem vesh dhe jap fjalë, ajo qëndron dhe nuk ka lëvizje as djathtas, as majtas. Asnjë ndikim i jashtëm nuk mund ta lëvizë atë fjalë”, deklaroi Mickoski. Ai shtoi se ndarja e posteve nuk është çështje e matematikës politike, por e respektimit të marrëveshjes së arritur në momentin e formimit të Qeverisë. “Kjo nuk është çështje matematikore, por është çështje thelbësore, e cila është dakorduar që në formimin e kësaj Qeverie, në qershor të vitit 2024. Absolutisht nuk kam arsye të jem viktimë e politikës ditore, sepse fjala është fjalë dhe fjala është dhënë deri në vitin 2028, kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare”, tha kryeministri.

    EMËRIMET NGA TETORI SHTYHEN PËR NËNTOR

    Pavarësisht garancive për respektimin e marrëveshjes, emërimi i zëvendësministrave vazhdon të mbetet i papërfunduar. Mickoski pranoi se kishte paralajmëruar që ky proces të përmbyllej gjatë tetorit, por zhvillimet e tjera politike kanë ndikuar në shtyrjen e tij. “Kam thënë se emërimi i zëvendësministrave do të bëhet gjatë muajit tetor, por për shkak të shumë ngjarjeve që ndodhën, me shumë gjasë kjo do të bëhet gjatë nëntorit. Kemi pasur biseda me liderët e VLEN-it dhe vendosëm që, pasi i definuam pozicionet për tema të tjera të rëndësishme për shtetin, në periudhën që vijon, në nivel pune dhe në komisionet politike kadrovike, të kristalizohen këto propozime”, deklaroi Mickoski. Edhe Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, në mbledhjen e fundit, ka konfirmuar se diskutimet për zgjidhjet kadrovike do të vazhdojnë.

    KATËR EMRA NË KOMBINIMET KADROVIKE

    Ndërkohë, sipas informacioneve jozyrtare, në kuadër të riorganizimit të eshalonit të dytë qeveritar janë duke u shqyrtuar disa ndryshime në pozitat e zëvendësministrave. Albrim Hoxha, i cili aktualisht ushtron funksionin e zëvendësministrit të Bujqësisë, pritet të kalojë në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Shkodran Alili përmendet si kandidat për zëvendësministër të Shëndetësisë, ndërsa Oliver Milanov pritet të marrë pozitën e zëvendësministrit të Bujqësisë. Në kombinimet kadrovike përmendet edhe Shener Biljali, këshilltar i kryeministrit Mickoski, i cili sipas informacioneve jozyrtare pritet të emërohet zëvendësministër i Kulturës dhe Turizmit. Megjithatë, emrat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, ndërsa deklaratat e kryeministrit tregojnë se propozimet përfundimtare duhet të harmonizohen në komisionet kadrovike të partnerëve të koalicionit.

    NË PUBLIK PËRPLASJE, BRENDA QEVERISË PARTNERITET

    Negociatat për postet po zhvillohen në një periudhë kur marrëdhëniet mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it janë shoqëruar me përplasje publike, veçanërisht pas rezultatit të zgjedhjeve në Bërvenicë. Pas humbjes në këtë komunë, nga VMRO-DPMNE u përdor edhe cilësimi “Kali i Trojës” për VLEN-in, duke nxitur pikëpyetje për raportet mes partnerëve qeveritarë. Megjithatë, bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka bërë një dallim mes retorikës politike për opinionin dhe komunikimit brenda koalicionit.

    “Në asnjë moment nuk tolerojmë që në një komunikim të tillë të flasim me një gjuhë të këtillë. Patjetër që komunikimi në opinion është komunikim për opinionin dhe për grupin e votuesve nga të cilët ne kërkojmë votën. Por, në këtë rast, komunikimi ynë me kryeministrin është komunikim në nivel partneriteti”, deklaroi Kasami.

    DIMITRIEVSKI KËRCËNON, MICKOSKI NUMËRON DEPUTETËT

    Përderisa me VLEN-in kryeministri insiston në respektimin e marrëveshjes së koalicionit, një tjetër mospajtim brenda shumicës qeveritare është shfaqur rreth provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kryetari i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, ka paralajmëruar largimin nga Qeveria nëse mundësohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Megjithatë, Mickoski shmangu komentimin e drejtpërdrejtë të këtij kërcënimi, duke e orientuar përgjigjen te stabiliteti numerik i shumicës parlamentare.

    “Për qëndrimin e Dimitrievskit, pyeteni Dimitrievskin. Përndryshe, Qeveria zgjidhet me shumicë në Parlament. Ajo shumicë është 61 deputetë, ne kemi shumë më tepër se 61 deputetë, kështu që Qeveria është stabile, konkretisht më stabile në këtë pjesë të Evropës, ndoshta edhe më gjerë, dhe po vazhdojmë të bëjmë politika në të mirë të qytetarëve”, deklaroi Mickoski.

    Ndërkohë, Dimitrievski ka kërkuar edhe organizimin e një takimi të liderëve të koalicionit qeveritar. Mickoski konfirmoi se për këtë çështje tashmë është diskutuar dhe se një takim i tillë planifikohet të mbahet gjatë dhjetorit. “Kemi biseduar për takim liderësh mes koalicionit qeveritar dhe kemi thënë se gjatë muajit dhjetor do të organizojmë takim të liderëve të partive të koalicionit”, deklaroi kryeministri. Përndryshe, ende nuk dihet se cila do të jetë tema e takimit të paralajmëruar për dhjetor. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Miratohet Ligji për Prokurimin Publik – mbeten pragjet më të larta për prokurimet pa tender

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë