Artistët e pavarur, “të varur” me muaj nga rrogat

    Spostimi për muaj me radhë i pagesave mujore për kategorinë e artistëve të pavarur ka detyruar këta të fundit të reagojnë publikisht. Ata përmes një letre të hapur drejtuar Ministrisë së Kulturës kanë sjellë në vëmendje vonesën disamujore të pagesave për vitin e kaluar, duke theksuar se problemi po bëhet i paqëndrueshëm dhe se institucionet po i lënë përsëri pa mbështetje financiare në kohë. Ata nënvizojnë se janë përballur me të njëjtin problem për vite me radhë – vonesa në pagesa, gjë që i detyron të mbulojnë kontributin tek të Ardhurat Publike për të shmangur borxhet, kamatat dhe ndërprerjen e sigurimit shëndetësor.

    Letra e hapur bëhet si një reagim i qartë ndaj asaj që artistët e quajnë një praktikë sistemike prej kohësh, pasi nuk po reagojnë vetëm për një pagesë të vonuar, por për një model të përsëritur – konkursi shpallet në nëntor, rezultatet nuk publikohen deri në fund të marsit dhe ndërkohë po mbërrijnë njoftimet e para për detyrimet e papaguara për janarin dhe shkurtin.

    “Edhe pse tregojmë durim dhe mirëkuptim çdo vit, situata tashmë po bëhet e paqëndrueshme. Artistët e pavarur po vihen përsëri në një situatë ku duhet të mbulojnë vetë kontributet e tyre”, thuhet në letër. Sipas artistëve, konkursi për dhënien e pagave mujore shpallet në nëntor, por ata i marrin rezultatet vetëm në fund të marsit, kur mbërrijnë njoftimet e para për detyrimet e papaguara për janarin dhe shkurtin. Ndërkohë që gjenden në muajin e pestë të vitit dhe pagesa e parë për këtë vit nuk është bërë ende. Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka reaguar menjëherë, duke njoftuar se fondet për artistët e pavarur për vitin 2026 janë paguar tashmë dhe se ato do të jenë të disponueshme në llogaritë e tyre.

    “Vonesa ndodhi për shkak të rregullimeve dhe kontrolleve shtesë në procedurën e llogaritjes dhe koordinimit me institucionet kompetente, në mënyrë që pagesa të bëhet në përputhje me rregulloret ligjore dhe financiare në fuqi”, deklaruan nga MKT.

    Në reagimin e MKT thuhet se janë të angazhuar për gjetjen e zgjidhjeve sistemike për të shmangur situata të tilla në të ardhmen. Një artist i pavarur merr mesatarisht nga 15 deri në 25 mijë denarë në muaj, në total për vitin 2026 nga buxheti i MKT janë akorduar rreth 60 milionë denarë për artistët e pavarur, ku përfshihet pagesa e kontributeve shëndetësore dhe pensionale, si dhe disa kompensime mujore minimale. Në konkursin e vitit 2026 MKT ka shpallur gjithsej 229 artistë të pavarur mes të cilëve pesë janë shqiptarë. Koha

    Lajmi Paraprak

    Rënie e ndjeshme e migracionit ilegal në BE

    Lajmi i rradhës

    BE-ja e sheh teknologjinë kineze si rrezik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë