Kryeministri Hristijan Mickoski, ditë më parë pas takimit me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq në Ohër, tha se qëllimi strategjik i vendit mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE), por se procesi i integrimit evropian padrejtësisht është shndërruar në një çështje bilaterale në vend që të bazohet në kriteret e Kopenhagës dhe meritat e shtetit. Ai tha se Qeveria do të përqendrohet në reformat e brendshme, Planin e rritjes dhe Agjendën e reformave ku, siç tha ai, Maqedonia është ndër vendet më të suksesshme në rajon.
Ai tha se me kryeministrin Plenkoviq nënshkruan një Marrëveshje për bashkëpunim strategjik midis dy qeverive, për të cilën tha se është “më shumë se një akt diplomatik”, si dhe se integrimi evropian ka qenë një nga temat më të rëndësishme të bisedimeve.
Mickoski tha edhe se nuk do të ketë lëshime të reja rreth identitetit dhe se Qeveria është e përgatitur ta paguajë çmimin për ruajtjen e interesave kombëtare.
“Për fat të keq, për sa kohë që mosmarrëveshjet dypalëshe ose bullizimi ndaj nesh nga disa shtete anëtare, ose në këtë rast një shtet anëtar, janë pengesa jonë për të qenë pjesë e asaj familjeje, ajo që kemi kohë që e kemi merituar do të na largohet. Por ne nuk humbim shpresë, nuk humbim energji, por, përkundrazi, do të vazhdojmë të punojmë fuqishëm dhe të presim se do ta kemi atë mundësi për të qenë pjesë e asaj familjeje. Nuk ka më mundësi për lëshime për identitetin, nuk ka më mundësi për një hap prapa kur bëhet fjalë për përcaktuesit tonë kombëtarë. Cilido që të jetë çmimi që duhet ta paguajmë, kjo Qeveri është e gatshme ta paguajë. Do presim kohëra të tjera më të mira. Nëse proceset bilaterale janë vërtet ato që duhet të vendosin për rrugën tonë evropiane, atëherë ne do të luftojmë në një mënyrë tjetër”, tha kryeministri Mickoski.
Ai tha se Maqedonia për momentin është ndër vendet më të suksesshme në rajon sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian (KE). Sipas tij, shumica e fondeve të destinuara për vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfundojnë në buxhetin e Maqedonisë, ndërsa trendi pozitiv pritet të vazhdojë edhe në raportin e ardhshëm në qershor.
Ai tha se Maqedonia ka kohë që e ka merituar vendin e saj në BE, por sipas tij, Qeveria e mëparshme e ka vështirësuar edhe më tej procesin duke pranuar kërkesa që nuk kanë qenë në interes të vendit.






